Telegrafi

“Në Katar, shokët më thanë se nuk duhet të bëja dush i zhveshur”, James Rodriguez tregon tmerrin

Ish-ylli i Real Madridit, James Rodriguez pati një periudhë të shkurtër duke luajtur për Al-Rayyan të Katarit. E thënë më butë, futbollistit kolumbian nuk i pëlqeu ajo që pa dhe përjetoi në Lindjen e Mesme.

Në një intervistë për mediat braziliane, Rodriguez ka rrëfyer se çfarë i ka bërë përshtypje dhe e detyroi të largohej.

“Është shumë e vështirë të përshtatesh me jetën dhe kulturën në Katar”, ka thënë fillimisht James për Globo TV të Brazilit.

“Për shembull, pas lojës bëjmë dush dhe është zakon që të gjithë të jemi të zhveshur nën dush. Por, në Katar më thanë që nuk duhet të jem lakuriq nën dush”.

“Kisha frikë. Aty kishte shumë gjëra. Nuk më lejohej të haja me dorën e majtë, vetëm me të djathtën”, përfundoi kolumbiani.

32-vjeçari luajti për shumë klube të mëdha në karrierën e tij – Real Madrid, Bayern, Porto, Monaco, Everton, Olympiacos dhe aktualisht luan për Sao Paulo.

Ai ishte lojtari më i mirë i ri në botë dhe golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës 2014. Pas kësaj paraqitje Reali e bleu për 75 milionë euro. /Telegrafi/