Telegrafi

Në Katar mbahet funerali i liderit të vrarë të Hamasit, grupi militant paralajmëron hakmarrje

Funerali i liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, është mbajtur në Katar, dy ditë pas vrasjes së tij në Teheran të Iranit – në një seri vrasjesh të figurave të larta të grupit militant palestinez ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë vazhdon.

Bëhet e ditur se pjesë e ceremonisë në xhaminë e madhe në veri të kryeqytetit Doha ishte edhe Khaled Meshaal, i cili mendohet të jetë lideri i ri i Hamasit.

Gjithashtu, pjesë e varrimit ishin edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Hamasit, si dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

Arkivoli i Haniyeh, i mbështjellur me flamurin palestinez, u vendos në xhami pranë qindra njerëzve së bashku me arkivolin e truprojës së tij i cili u vra në të njëjtin sulm në Teheran.

“Mesazhi ynë për okupimin izraelit është se ju po zhyteni thellë në baltë dhe fundi juaj po afrohet më shumë se kurrë. Gjaku i Haniyeh do t’i ndryshojë të gjitha”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri.

Siç raportohet, Haniyeh u vra nga një raketë që e goditi drejtpërdrejt në një bujtinë shtetërore në Teheran, ka njoftuar zyrtari i lartë i Hamasit për shtyp, Khalil Al-Hayya.

Irani dhe Hamasi kanë akuzuar të dy Izraelin për kryerjen e vrasjes dhe janë zotuar të hakmerren kundër armikut të tyre.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vdekjen dhe as nuk e ka mohuar atë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Sulmi ishte një nga disa që kanë vrarë figura të larta në Hamas dhe Hezbollah, duke nxitur shqetësimin se lufta në Gazë midis Izraelit dhe militantëve palestinezë po kthehet në një konflikt rajonal që shtrihet nga Deti i Kuq në kufirin Liban-Izrael dhe më gjerë.

Në SHBA, presidenti Joe Biden tha se vrasja e Haniyeh nuk është e dobishme për përpjekjet ndërkombëtare për të siguruar një armëpushim në luftën në Gazë, tani në muajin e saj të 10-të.

“Kjo nuk ndihmon”, tha Biden kur u pyet nëse vrasja e liderit të Hamasit ka shkatërruar shanset për një armëpushim.

Ndërkohë, Katari ka udhëhequr përpjekjet për paqe së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, aleatin kryesor të Izraelit.

Lexo po ashtu Mijëra njerëz në procesionin funeral në Iran të shefit politik të Hamasit që u vra në një sulm në Teheran

Ndryshe, Haniyeh ka qenë fytyra e diplomacisë ndërkombëtare të Hamasit.

Ai shihej nga shumë diplomatë si një i moderuar në krahasim me anëtarët më të ashpër të grupit të mbështetur nga Irani brenda Gazës, megjithëse disa izraelitë janë shprehur se ai konsiderohej nga disa si një pengesë për një marrëveshje.

I emëruar në postin kryesor të Hamasit në vitin 2017, ai u zhvendos midis Turqisë dhe Dohas, duke i shpëtuar kufijve të udhëtimit të Rripit të Gazës të bllokuar.

Në maj, zyra e prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare kërkoi urdhërarrest për tre udhëheqës të Hamasit, duke përfshirë Haniyeh, si dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për krime të dyshuara lufte.

Izraeli dhe udhëheqësit palestinezë i kanë hedhur poshtë akuzat.

Pjesë e funeralit të Haniyeh ishte edhe e veja e tij, Amal.

“Thuaju përshëndetje të gjithë dëshmorëve të Gazës, përshëndetje udhëheqësve, të gjithë dëshmorëve të Gazës, të gjithë muslimanëve”, tha Amal teksa qëndronte pranë arkviolit të Haniyeh.

Ndërkohë që Izraeli nuk ka pranuar se e ka kryer vrasjen, ai ka njoftuar se një sulm ajror që ka kryer muajin e kaluar vrau udhëheqësin e pakapshëm ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif në Gazë.

Por, Hamasi nuk e ka konfirmuar e as mohuar vdekjen e Deifit.

Hezbollahu ka konfirmuar se komandanti i tij i lartë ushtarak Fuad Shukr është vrarë në një sulm izraelit në një ndërtesë në Bejrut.

Hezbollahu është zotuar për një përgjigje “të caktuar” ndaj vrasjes së Shukr, duke thënë se ajo ka kaluar linjat e kuqe dhe se rivaliteti dekadash midis armiqve ka hyrë në një fazë të re. /Telegrafi/