Telegrafi

Në Kamerun homoseksualiteti është i dënueshëm me burg, por vajza e presidentit publikon fotografi duke u puthur me një vajzë

Vajza e Presidentit të Kamerunit, Paul Biya, Brenda Biya ka publikuar në Instagram një fotografi ku shihet duke u puthur me një modele braziliane dhe kështu ka shkaktuar stuhi reagimesh pasi homoseksualiteti është i paligjshëm në atë vend.

26-vjeçarja Brenda, ndryshe muzikante e njohur si King Nasty, ka publikuar një fotografi ku shihet duke u puthur me modelen braziliane Layyonsa Valenza dhe në publikim ka dërguar një mesazh të qartë.

“Jam e çmendur për ty dhe dua që e gjithë bota ta dijë këtë”, ka shkruar ajo dhe më pas ka shpërndarë një artikull të botuar në revistën franceze ‘Le Monde’, në të cilin ka thënë se “kishte dalë nga dollapi”. Përveç kësaj, ajo ka ndarë me publikun edhe mesazhe mbështetjeje nga ndjekësit.

Pasi ajo publikoi foton, një numër i kamerunasve shkruajtën komente homofobike dhe ajo u sulmua kundër tyre të nesërmen, duke postuar një fotografi nga Gjeneva në Zvicër, me mbishkrimin: “Çfarë dreqin nuk shkon me qëndrimet tuaja?”.

Homoseksualiteti është i paligjshëm në Kamerun dhe personat në marrëdhënie të të njëjtit seks përballen me deri në pesë vjet burg. Megjithatë, duke qenë se vajza e presidentit nuk jeton në Kamerun, ajo nuk kërcënohet me dënim.

Meqë ra fjala, ligjet e këtij vendi kanë shkaktuar kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të njeriut. Dy vjet më parë, Human Rights Watch bëri thirrje që “të ndërmerren hapa urgjent për të shfuqizuar këtë ligj diskriminues dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut të të gjithë banorëve të Kamerunit, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual, identiteti gjinor ose karakteristikat seksuale”. /Telegrafi/