Pas pritjeve të gjata, më në fund lajme të mira vijnë nga kombinati metalurgjik ”Jugohrom”, të cilin banorët e Pollogut e konsiderojnë si ndotësin më të madh të ajrit në këtë rajon, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Sipas drejtorit Vasko Skenderovski, qysh në muajin e kaluar ka filluar ndërtimi i sistemit për de-pluhrosje, përfundimi i të cilit duhet të ndodhë në vitin 2017.
Ky sistem duhet të përfshijë repartin e parë, ku ndodhen furat numër 7 dhe 8, që përfshijnë 65% të kapacitetit të kombinatit. Sistemi do të ndihmojë shumë në uljen e ndotjes së ajrit.
Në lidhje me vendosjen e mekanizmave të filtrimit në ‘Jugohrom’, më herët EcoGuerrilla ka kërkuar informacione nga Ministria e Ekologjisë, duke u bazuar në Ligjin për informimin publik, megjithatë deri tani, asnjë përgjigje nuk kanë marrë./Telegrafi/