Site icon Telegrafi

Ne japim, Serbia merr

Politika e Qeverisë së Kosovës ”ne japim, Serbia merr”, i ndihmoi kësaj të fundit që ta fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës i dha premtimin për realizimin e ëndrrave – mbase një ditë. Po kjo politikë, e cila është ndjekur gjatë procesit negociator në Bruksel, ka bërë që fqinji ynë verior të trimërohet dhe të rikthej në skenë shantazhet në kufij, ekstradimet nga shtetet e treta dhe arrestimet e kosovarëve posa të futen në territorin e tij, “në emër të Rezolutës 1244” të KS të OKB-së.

Në fakt Serbia po i legjitimon këtë sjellje përmes marrëveshjeve që ka arritur me Qeverinë e Kosovës së fundi dhe rifuqizimit nga kjo e fundit të Rezolutës 1244 (përmes fusnotës). Rezoluta që garantonte "sovranitetin dhe tërësinë territoriale të RFJ-së", është bartur tek Unioni Serbi-Mali i Zi dhe pas shpërbërjes së këtij Unioni, “tek” Serbia!

Esenca e garës së fundit mes Kosovës dhe Serbisë se kush po arreston më shumë, nuk është mbrojtja e këtij sovraniteti, sa është përgatitje për një betejë të re: për sovranitetin mbi Veriun e Kosovës. Si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Serbisë, po "maten para ringut", në përpjekje për ta frikësuar kundërshtarin, duke u pozicionuar para se të ulen e të bisedojnë për të ardhmen e veriut.

Kjo gjë tashmë është një sekret publik, por që Qeveria e Kosovës bëhet sikur nuk po dëgjon asgjë, edhe pse heshtazi po përgatit terreni për t’u përballur me të gjithë ata që do ta kundërshtojnë një proces negociator që për temë diskutimi ka veriun.

Në mes të dhjetorit këtë gjë na e pati thënë Kancelarja gjermane Angela Merkel në Prishtinë, kur u shpreh se "edhe pala kosovare duhet të jep nga vetja në mënyrë që të ketë zgjidhje paqësore të situatës në veri". Po kaq e qartë në qëndrime e veta për këtë çështje ishte edhe SHBA-ja, përmes ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Philip Gordon, kur deklaroi se "ne i inkurajojmë palët që të flasin për këto dallime”, për të shtuar se "ne besojmë se ka mënyra që t’u lejohet serbëve etnikë të veriut të Kosovës, që në mënyrë legjitime të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe që të drejtojnë vetë punët e tyre”.

Madje, edhe njeriu që ndërmjetësoi negociatat e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Robert Cooper, duke folur për veriun tha se "ky është një problem, me të cilin duhet të merremi shpejt” dhe se “veriu është shumë më shumë se temë politike".

Kësaj politike mbase do t’i vihet kapaku këtë javë, kur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi takohet me Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama. Thaçit i është dashur dhe i duhet një takim i këtij niveli, për t’ia transmetuar shoqërisë kosovare "domosdoshmërinë" e të biseduarit me Serbinë për veriun e Kosovës.

Ky proces do të nisë, sikur gjithë të tjerat deri më tani, duke u fshehur pas mesazhit të Amerikës se SHBA-ja kurrë "nuk do ta detyroj Kosovën dhe popullin e saj të bëjë veprime që nuk janë në të mirë të tyre”.

Kështu, siç e tha edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaqek, Kosova pas majit 2012 do të jetë e ulur (sipas qeverisë tonë gjithnjë si shtet i barabartë), në një tavolinën me Serbinë duke biseduar për çështjen e veriut, por në një format tjetër negociatash, ngase siç e tha edhe Cooper "nuk mund të imagjinohet që edhe me veriun të merremi në të njëjtën mënyrë sikurse me çështjet tjera”.

Në ndërkohë që pritet të dihet fituesi i zgjedhjeve në Serbi, brenda Kosovës do të aktivizohen "agjentët" vendorë e ndërkombëtarë të qeverisë tonë për ta përgatitur terrenin për këto bisedime dhe realizuar politikën e detantës (shtendosjes) së raporteve mes dy vendeve, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit.

Shoqëria kosovare ka të drejtë që ndihet e shqetësuar, madje edhe e turpëruar me qeverinë e vet, e cila po ndjek një linjë politike të rehabilitimit të armiqve. Duket se Hashim Thaçit i ka mbetur edhe veriu pa i dhenë zgjidhje, nga përmbushja e urdhrave që kishte pranuar në vitin 2007, në shkëmbim të të qenit kryeministër i Kosovës. Kjo zgjidhje që ai duhet ta pranoj para se të përshëndetet më pozitën e kryeministerit, është një autonomi substanciale për veriun e Kosovës, që duhet ta përsërisim, do të jetë një kancer për të ardhmen e vendit tonë, ndoshta më keq se sa ajo që shohim sot të ndodhë në Bosnjë me "Republika Srpskan".

Krejt çfarë po shohim e dëgjojmë sot, nesër nuk duhet përjashtuar se do të mund të shohim e dëgjojmë keq e më keq nga “ne japim, Serbia merr”, e ndjekur nga Hashim Thaçi dhe Edita Tahirit gjatë negociatave "ndërshtetërore" në Bruksel. Ta imagjinojmë nëse sot Serbia i rrëmben policët brenda territorit tonë, çfarë mund të ndodhë nesër në barakat e përbashkëta kufitare, ku do të punonin policët e Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes (IBM) të arritur në Bruksel!

Po të ndiqej në Bruksel politika “ne nuk japim, derisa nuk marrim”, apo “ne japim, aq sa marrim”, edhe Serbia sot do të sillej ndryshe me Kosovën dhe njerëzit e saj!

Mirëpo, duket se të gjithë e kanë kuptuar se nuk meritojmë më shumë dhe duan të na lenë të përpëlitemi me këtë qeveri që të turpëron kudo që shfaqet, brenda dhe jashtë Kosovës!

 

Exit mobile version