Telegrafi

“Në Itali vetëm Napoli, por ai e do Real Madridin” – agjenti i Kvaratskhelias flet për të ardhmen e gjeorgjianit

Mamuka Jugeli, agjenti i yllit të Napolit, Khvicha Kvaratskhelia, përjashtoi mundësinë e një transferimi të lojtarit në një ekip tjetër italian, por la të kuptohet se mund të ketë një lëvizje në Real Madrid në të ardhmen.

Anësori 21-vjeçar gjeorgjian iu bashkua Napolit për çmimin e volitshëm prej 10 milionë euro verën e kaluar, duke nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.

Kvaratskhelia është një arsye kryesore pas suksesit të Napolit këtë sezon dhe ai ka kontribuar drejtpërdrejt në 25 gola në 26 ndeshje – 12 gola dhe 13 asistime.

Duke folur për kanalin Youtube GeoTeam, agjenti Jugeli fillimisht diskutoi lumturinë e Kvaratskhelia në Napoli dhe dëshirën për të mos u bashkuar me një ekip tjetër italian.

Lexo po ashtu E duan gjysma e Evropës, Napoli dëshiron ta ‘blindojë’ Kvaratskhelian

“Khvicha i pëlqen gjithçka në Napoli dhe për momentin nuk ka asgjë me klubet e tjera. Ai nuk do të kalojë në asnjë klub italian. Kam folur me të dhe ai më ka rrëfyer: ‘Mamuka, nuk do të luaj për një ekip tjetër italian jashtë Napolit’.

“Pastaj nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 10-15 vjetësh, ndoshta Interi do ta thërrasë dhe ai do të dëshirojë të shkojë atje, por sot ai nuk dëshiron ta dijë. Në Itali, për të, është vetëm Napoli”.

“Babai i tij dhe unë mbështesim Barcelonën, por Kvara e do Realin. Nëse do ta shihja me fanellën e Barçës do të isha shumë i lumtur, por ai është tifoz i Real Madridit”, ka thënë ai. /Telegrafi/