Site icon Telegrafi

“Në Iran çdo 10 minuta humb jetën një person nga coronavirusi”

Zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, Kianoosh Jahanpour, tha se në vend për shkak të coronavirusit të ri (COVID-19) humb jetën një person në çdo 10 minuta.

“Në Iran në çdo 10 minuta humb jetën një person për shkak të coronavirusit. Ndërsa në një orë preken rreth 50 njerëz nga coronavirusi”, tha Jahanpour në një postim nga llogaria e tij në Twitter.

Ndër të tjera Jahanpour ka paralajmëruar qytetarët që të mos udhëtojnë dhe të mos kryejnë vizita gjatë pushimeve të Nevruzit, transmeton Anadolu Agency.

– Humb jetën një mjeke

Bëhet e ditur se për shkak të coronavirusit ka humbur jetën edhe mjekja Shirin Ruhanirad në spitalin Shohadaye Pakdesh në Teheran.

Ndërsa televizioni shtetëror i Iranit ka publikuar pamjet ku Ruhanirad e cila trajtohej nga coronavirusi, ofronte mjekim për të sëmurët teksa ajo kishte në krahun e saj serum.

Në intervistën e fundit të saj Ruhanirad duke vënë në dukje se ishte e detyruar të punojë, kishte theksuar që “Personeli po punon në mënyrë intensive. Në vendin tim nuk është mundur të caktohet një mjek tjetër”.

Që nga shfaqja e COVID-19 në Iran e deri më tani kanë humbur jetën nga epidemia 10 mjekë dhe 4 infermierë.

COVID-19 i cili u shfaq në Kinë, për herë të parë në Iran u vërejt në qytetin Qom me 19 shkurt dhe më pas u përhap në të gjithë vendin.

Ministria iraniane e Shëndetësisë që nga dje njoftoi se humbjet e jetëve për shkak të coronavirusit të ri kanë arritur në 1.135, ndërsa numri i rasteve në 17.361.

Exit mobile version