Agim Ademi ka dhënë një intervistë për Telegrafin rreth formës momentale të Kosovës në Ligën e Kombeve.
Kreu i FFK-së ka analizuar formën e Përfaqësueses tonë, duke thënë se situata me coronavirus u ka prishur të gjitha planet.
Ademi potencoi se fokusi kryesor i Kosovës ishte në takimin ndaj Maqedonisë së Veriut në play-offin gjysmëfinales së Ligës së Kombeve, mirëpo që lëndimet dhe situata me pandeminë nuk ishte në anën e ekipit.
“Ndeshja me Maqedoninë ka qenë më e rëndësishme për ne për shkak të kualifikimet në Kampionatin Evropian, por fatkeqësisht kemi pasur disa mungesa”, ka thënë Ademi në intervistë me gazetarin Betim Zeqiri.
“Kemi qenë pa shtatë lojtarë standard dhe kemi qenë të pafat, pasi na ndodhi e papritura dhe siç e dinin ndaj Greqisë kemi qenë pa dhjetë lojtarë”.
“Unë besoj se ne do të kthehemi sërish në rrugën e mbarë. Por, ne duhet të kuptojmë se është një fazë kur nuk keni fat apo nuk ju shkojnë gjërat si duhet”.
Ademi ka folur edhe për trajnerin Bernard Challandes dhe të ardhmen e tij, duke thënë se nuk duhet drejtuar gishtin menjëherë nga trajneri, pasi nuk duhet harruar fitoret që i ka sjell Kosovës dhe mungesës së fatit që kishte
“Bernard Challandes e nënshkroi kontratën në fillim të këtij viti dhe nuk duhet të harrojmë fitoret që i ka arritur”.
“Pas ndeshjeve që do i zhvillojmë në Ligën e Kombeve, do të shikojmë se kush është përgjegjësi për këtë formë. Ne nuk lejojmë që gjërat të shkojnë keq dhe do kërkojmë më të mirën e mundshme”.
“Edhe futbollistët duhet të dinë se duhet të luajnë me zemër dhe jo për pjesën e bonuseve dhe të japin më të mirën për vendin”, ka shtuar më tej i pari i futbollit kosovar. /Telegrafi/