Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka kryer një monitorim për Institucionet e Shëndetit Mendor dhe të Kujdesit Social në Kosovë, ku del se të miturit janë të vendosur në të njëjtin repart me të rriturit në disa institucione, e që është në kundërshtim me ligjin.
Zyrtari ligjor nga KOMF, Valdrin Dervishaj, tha për KosovaPress se mbajtja e të miturve në të njëjtin repart me të rriturit, ndikon negativisht në risocializimin dhe integrimin e tyre.
Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, përballet me të njëjtin problem për shkak të hapësirës së pamjaftueshme. Drejtori i këtij Insituti, Gani Halilaj, tha për KosovaPress se pengesa kryesore vërehet tek rutina ditore, në kohën kur dalin femrat, meshkujt duhet të mbyllen.
Kurse, neuropsikiatri Fahri Drevinja, përmendi kërkesat e gjykatave duke thënë se janë dhjetë herë më të mëdha se sa mundësitë e këtij instituti. Ai u shpreh i shqetësuar që po rritet numri i adoleshentëve të cilët kryejnë vepra penale. Drevinja tha se adoleshentët kanë nevojë për mbështetjen profesionale nga ky institut, por fatkeqësisht nuk ka repart të posaçëm për ta.
Në anën tjetër, Dervishaj nga KOMF, tha se të miturit takohen dhe jetojnë bashkërisht me ata persona të cilët kanë kryer vepra penale të ndryshme. Kjo, sipas tij, është trajtimi më i keq që iu ofrohet atyre.