Site icon Telegrafi

Në Indi do të prodhohet vetura elektrike, që me vetëm një mbushje të baterisë mund të përshkojë 500 kilometra

Një kompani e re nga India – Ola Electric Mobility, e cila nga viti 2017 prodhon skuterë elektrikë, sot ka paralajmëruar prodhimin e veturës më moderne elektrike në Indi që do të fillojë në vitin 2024.

Sipas Bavish Argaval, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Ola Eletric, vetura e re elektrike ka linja sportive – kulmin nga xhami dhe kompjuterin më të avancuar me opsione për asistim në vozitje, transmeton Telegrafi.

Vetura elektrike indiane ka një rreze të autonomisë prej 500 kilometrave – që nënkupton se me vetëm një mbushje të baterisë mund t’i përshkojë këto kilometra.

Shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për vetëm katër sekonda, e shumë detaje tjera nuk janë bërë të ditura.

Mediat indiane raportojnë se madhësia e veturës do të jetë e ngjashme me atë të një “hatchbacku”, e fakti se prodhimi do të fillojë pas dy viteve dhe se akoma nuk dihet për performansat, tregon më së miri se vetura është akoma në fazën e zhvillimit.

Kompania gjithashtu ka prezantuar skuterin e ri S1, dhe ka paralajmëruar prodhimin e baterive, që do të mund të shërbenin për ata pronarë të skuterëve që u është shpenzuar bateria.

Veturat elektrike, skuterët dhe bateritë do të prodhohen në fabrikën më moderne në Indi të quajtur “fabrika e të ardhmes”, thuhet në ueb-faqen e kësaj kompanie.

Përveç se do të punësohen rreth 10 mijë gra që do të jenë pothuajse 100 për qind fuqia punëtore, fabrika do të ketë në dispozicion 3 mijë robotë të cilët do t’i kontrollojë inteligjenca artificiale. /Telegrafi/

Exit mobile version