Site icon Telegrafi

Në inaugurimin e Pendarovskit deri tash është vërtetuar prania e kryetarëve Meta, Thaçi dhe Radev

Deri në fund të ditës pritet që kreu i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi edhe zyrtarisht të caktojë seancë për inaugurimin e kryetarit të ri të vendit, Stevo Pendarovski.

Në deklaratë për AIM, kryetari i Kuvendit Xhaferi thekson se deri tani vërtetim se do të marrin pjesë në inaugurimin e Pendarovskit ka arritur nga kryetari i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nga kryetari i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi si dhe nga kryetari i Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev. Të pranishëm do të jenë edhe zëvendëskryeministri i Turqisë dhe delegacioni nga Sllovenia, nga ku pritet përgjigje nëse delegacionin do ta udhëheqë kryetari Borut Pahor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ftesa për inaugurimin përmes MPJ-së janë dërguar deri të gjithë shefat e shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, si dhe të vendeve të rajonit.

“Deri tani është vërtetuar prania e kryetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Bullgarisë, Meta, Thaçi dhe Radev, zëvendëskryeministri i Turqisë dhe delegacioni nga Sllovenia”, tha Xhaferi.

Seanca duhet të fillojë pasdite, ndërsa aty kryetari i sapo zgjedhur duhet të japë betim solemn ku do të ketë edhe fjalim para deputetëve.

Xhaferi thekson se afatet po afrojnë, por se Kuvendi ka përgatitur të gjitha detajet teknike për seancën.

Në pyetjen nëse deputetët e partisë opozitare maqedonase OBRM-PDUKM do të marrin pjesë në inaugurim, ai thotë se s’ka arsye pse të mos vinë.

“Zgjedhjet ishin siç ishin, dhe nga aspekti politik mendoj se s’ka arsye të mos marrin pjesë në seancë”, thotë Xhaferi duke cekur se ai informacionin do ta dërgojë të gjithëve deputetëve në kohë.

Xhaferi informon se më 16 maj, e enjte, do të caktohet seancë për rivotimin e disa ligjeve që nuk u nënshkruan nga kryetari aktual Gjorge Ivanov, dhe u votuan më 24 prill./Telegrafi/

Exit mobile version