Një fëmijë vetëm 7 vjeç ka ndërruar jetë sot në plazhin e Potamit, në Himarë pasi u përplas nga një skaf në breg të detit.
Policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 kur shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë ka goditur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij”, sqaron policia.
Kjo është hera e tretë brenda kësaj vere që shënohen incidente me mjetet lundruese në plazhet e vendit.
Në korrik një çift u goditën nga një gomone në plazhin e Jalës, teksa mjeti lundrues tentoi të dilte në breg. Për pasojë çifti i pushuesve Agostin Sefa, 31 vjeç dhe E. GJ., 25 vjeçe, morën lëndime.
2 ditë më vonë një gomone goditi një fëmijë 7-vjeçar. I mituri mori plagë të rënda dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore, raporton euronewsal.