Telegrafi

Në Haxhaj të Gjilanit, mësimi vazhdon në xhami (Video)

Fëmijët e Haxhajt të komunës së Gjilanit do të kthehen sërish në bodrumin e xhamisë së fshatit, për të ndjekur mësimet.

Për ta ende nuk është përfunduar objekti i ri i shkollës, megjithëse ishte paraparë të bëhej për këtë shtator, pikërisht 16 muaj pas fillimit të punimeve.

Kushtet në katin përdhes të faltores janë të vështira për mësim.

“Dimrit ka pas shumë lagështi, është mykur shumë klasa dhe disa nxënës janë sëmurë për shkak të kushteve jo të mira”, shprehet një nxënëse.

Banorët e fshatit janë të mllefosur me Komunën e Gjilanit, edhe pse siç thonë ata u janë dhënë premtime për ndërtimin e shkollës.

“Kena pritë se viti shkollor që po fillon të na gjejë në shkollën e re, por nuk ndonjë lajmërim, shkolla ka mbet në shtylla”, shprehet një banorë i fshatit Haxhaj.

Zyrtari nga Komuna e Gjilanit thotë se ka vonesa por obligimet e veta komuna i ka mbaruar.

“Operatori ekonomik është zotuar se deri në mes të tetorit do t’i kryej punimet, përndryshe ne do të dalim në terren përsëri, dhe nëse punimet nuk kryhen në afatin e paraparë, ne do të shkëpusim kontratën”, shprehet Arbër Ismajli./Klan Kosova/