Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në bashkëpunim me Zyrën e Shefit të Misionit të UNHCR-së në Prishtinë, organizoi sot në Graçanicë një trajnim për zyrtarët e gjendjes civile nga komunat Parteshi, Kamenica, Kllokot, Partesh, Fushë-Kosovë, Shtërpcë, Lipjan, dhe Novobërdë lidhur me zbatimin e Vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Nr. 0616/2024, për aspektet teknike dhe administrative.
Jeta Tela, shefe e Kabinetit të Ministrit të MPB-së, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për të mundësuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kanë regjistruar faktet e gjendjes civile (lindjen, martesën dhe/ose vdekjen) në strukturat jo-legale serbe gjatë periudhës 10 qershor 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të kenë të drejtë të aplikojnë për regjistrimin e këtyre fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.
Ajo vlerësoi se roli i stafit të gjendjes civile është kyç në realizimin e këtij procesi duke ju kthyer ligjshmërisë dhe duke gëzuar të drejtat dhe shërbimet që u takojnë si qytetarë të Republikës së Kosovës.
Tela theksoi rëndësinë e angazhimit të secilit zyrtar për të siguruar zbatimin e suksesshëm të këtij procesi, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe avancimin e Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim.
Pjesëmarrësit në trajnim u informuan mbi procedurat dhe hapat që duhet të ndjekin për realizimin e regjistrimit, duke siguruar transparencë dhe saktësi në çdo fazë të procesit.
“Ky trajnim synon të garantojë një implementim të suksesshëm të regjistrimit të fakteve të gjendjes civile për qytetarët e regjistruar në struktura ilegale dhe paralele serbe gjatë periudhës nga 10 qershor 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/