Telegrafi

Në Gostivar u hap zona për stërvitje

Zëvendës drejtori i Agjencisë për rini dhe Sport Gazmend Ristemi në prani të Kryetarit të Komunës së Gostivarit e hapi zonën e parë për stërvitje në Gostivar. Ristemi tha se gjatë periudhës që vjen do të vijojnë disa investime për zhvillimin e sporitit dhe kulturës fizike.

“Kjo zonë e stërvitjes është fillimi i programit për investimin në objekte sportive. Së shpejti në Gostivar do të fillojë ndërtimi i fushave të tenisit dhe sporteve të vogla. Shumë e rëndësishme është që në fazën e fundit të këtij projekti është baseni i mbuluar në Gostivar. Shumë projekte do të fillojnë në Komunën e Çairit, Dibrës, ndërsa pres që së shpejti të fillojë edhe rikonstruktimi i basenit në Strugë”, tha zëvendës Drejtori Ristemi.

Taravari shprehu falënderime për realizimin e zonës së stërvitjes duke thënë se ky është investimi i parë shtetëror që kur ai udhëheq me Komunën, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Shpresoj që në të ardhmen Qeveria do t’i përkrah dhe ndihmojë komunat ku udhëheqin partitë opozitare njëlloj si komunat ku udhëheqin partitë në pushtet. Kështu lloj projektesh pres edhe në të ardhmen, sepse qytetarët e Gostvarit e meritojnë, pa dallim të përkatësisë partiake”, tha Taravari.

Në zonën e re për stërvitje në lagjen “Dutllok”, Agjencia për Rini dhe Sport investoi pothuajse dy milionë denarë./Telegrafi/