Telegrafi

Në Gostivar janë dorëzuar edhe 4.072 kërkesa për legalizim të ndërtimeve pa leje

Deri në përfundimin e afatit të dytë për dorëzim të kërkesave për legalizim të objekteve pa leje, në sektorin e urbanizmit të komunës së Gostivarit, janë dorëzuar 4.072 kërkesa të reja, informojnë nga vetëqeverisja lokale, transmeton Telegrafi Maqedoni.

-Shërbimet tona kanë punuar me orar të zgjatur të punës me qëllim të plotësimit të nevojave të qytetarëve. Ata iu përgjigjën thirrjes sonë në një numër të konsiderueshëm dhe rezultati përfundimtar është i pritur dhe i kënaqshëm, thotë Ditmire Shehu nga komuna e Gostivarit.

Ajo theksoi se pronarët e objekteve ilegale të cilët kërkesat për legalizim i kanë dorëzuar në afatin e dytë, janë të obliguar që dokumentacionin ta kompletojnë me elaborate gjeodezike më së voni deri më dhjetor të vitit 2017.

Nga ana tjetër, qytetarët të cilët kërkesat e tyre i kanë dorëzuar në afatin e parë, për elaboratet gjeodezike kanë kohë deri në fund të këtij viti.

Ndryshimet në Ligjin për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje u miratuan në dhjetor të vitit 2015. Me këto ndryshime afati për dorëzimin e kërkesave u vazhdua deri më 31 mars të këtij viti./Telegrafi/