Shoqata e personave me nevoja të veçanta “Bashkërisht mundemi” nga Gostivari, hapi zyrë ku do t’u jepet mbështetje, konsultime dhe këshilla, personave me nevoja të veçanta në rajonin e Gostivarit. Zyra, tash për tash funksionin vetëm si qendër informative.
“Zyra do t’u shërbejë qytetarëve të komunave të Gostivarit, Vrapçishtit dhe Mavrovës dhe do të funksionojë si qendër informative për fëmijë dhe persona me nevoja të veçanta. Këtu është e parashikuar të ndihmohet gjatë sigurimit të të drejtave dhe shërbimeve për fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta. Në të ardhmen do të mbahen edhe takime, konsultime për realizimin e projekteve për mbrojtjen ndaj diskriminimit, si dhe për të gjitha qëllimet tjera që do të paraqiten si nevojë”, tha Shpend Salija, kryetari i kësaj shoqate, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në hapjen e kësaj qendre të pranishëm ishin përfaqësues e komunës, Qendra për Punë Sociale, qytetarët dhe prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta ndërsa zyra e kësaj qendre informative gjendet në objektin e ndërmarrje publike “Komunalec” në Gostivar./Telegrafi/