Sipas kreut të një shoqate që përfaqëson zyrtarët e shëndetit publik, gjermanët duhet të imitojnë traditën evropiane jugore të “siesta-s” si një mënyrë për të mbështetur punëtorët gjatë periudhave të nxehta të shpeshta të vendit.
“Siesta” është një pushim pasditeje ose një sy gjumë, veçanërisht ai i bërë gjatë orëve më të nxehta të ditës në një klimë të nxehtë.
Dhe ministri gjerman i shëndetësisë reagoi pozitivisht ndaj sugjerimit të martën, por tha se kompanitë dhe punonjësit do të duhet të vendosin nëse do ta pranojnë atë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërsa Gjermania nuk është përballur me llojin e temperaturave që kanë “pjekur” Evropën Jugore këtë javë, ajo ka parë ndonjëherë këtë verë temperatura në rreth 30 gradë Celsius.
Temperatura më e lartë deri më tani këtë vit, 38.8 gradë Celsius (101.8 gradë Fahrenheit), u regjistrua në Bavari të shtunën.
Që atëherë, ato, edhe pse jo në masë të madhe, kanë rënë.
Megjithatë, temperaturat e larta të kësaj vere kanë qenë të mjaftueshme për të nxitur kreun e shoqatës BVOeGD, e cila përfaqëson zyrtarët e shëndetit publik në të gjithë Gjermaninë, të propozojë që vendi të rimendojë zakonet e tij të punës gjatë valëve të të nxehtit.
“Ne duhet të orientohemi kur është vapë drejt metodave të punës së vendeve jugore. Të ngrihesh herët, të punosh në mënyrë produktive në mëngjes dhe të kesh një ‘siesta’ në mesditë është një koncept që duhet ta adoptojmë në muajt e verës”, citohet të ketë thënë Johannes Niessen për grupin e gazetave RND në komentet e botuara të martën.
“Njerëzit nuk janë aq efikas në nxehtësi të fortë”, shtoi ai. “Përveç kësaj, gjumi i keq në mungesë të ftohjes gjatë natës çon në probleme të përqendrimit”.
Gjermania nuk ka traditë të llojit të pushimeve të zgjatura të pasdites që janë të zakonshme, për shembull, në Spanjë.
Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach shkroi në Twitter se “siesta në vapë nuk është sigurisht një sugjerim i keq”, por sinjalizoi se qeveria nuk ka ndërmend të përfshihet në këtë çështje.
“Punëdhënësit dhe punonjësit duhet të negociojnë vetë për këtë”, shkroi ai. “Sigurisht që ka kuptim nga ana mjekësore për shumë profesione”. /Telegrafi/