Prokuroria Publike e Shtetit gjerman në Karlsruhe ka ngritur sot aktakuzë kundër pesë personave, njëri prej të cilëve shtetas i Kosovës, për ndihmë të organizatës terroriste Shteti Islamik.
Të pandehurit akuzohen se kanë mbledhur më shumë se 250 mijë euro ndërmjet viteve 2020 dhe 2022 përmes kanaleve të ndryshme dhe ua kanë dorëzuar paratë anëtarëve të Shtetit Islamik (ISIS) në Siri, të cilët i përdorën paratë për të blerë robër.
Aktakuza është ngritur ndaj tre grave dhe dy meshkujve, njëri prej të cilëve Kujtim B. është shtetas i Kosovës, raporton news.de.
Të akuzuarit e tjerë kanë shtetësi gjermane ose të dyfishtë gjermano-marokene. Të gjithë të akuzuarit janë në paraburgim që nga fundi i muajit maj.
Në operacionin e fundit të muajit maj u arrestuan edhe dy persona të tjerë dhe hetimet ndaj tyre vijojnë ende.
Sipas të dhënave të Zyrës për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues për vitin 2022, në Gjermani janë 27480 persona që besohet se i përkasin skenës islamike. /Telegrafi/