Ata mbushnin fletëpagesa bankare në emër të asociacioneve të ndryshme gjermane, ndërsa bankat i dërgonin paratë e këtyre asociacioneve në kontot e dy kosovarëve.
Policia gjermane zbuloi skemën e mashtrimit për dy kosovarët që jetonin në Memmingem dhe Eislingen, transmetoi Express.
Dy grabitësit e perfeksionuar i dërgonin bankës kërkesën se gjoja kanë humbur kartën e asociacionit dhe pas kësaj, banka menjëherë i dërgonte kartën bankare të dubluar në emër të asociacionit.
Ata në 26 raste kanë tërhequr para nga kontot e asociacioneve me një vlerë prej 36 mijë eurosh. Policia gjatë arrestit të tyre ka gjetur 22 mijë euro.
Gjatë kontrollit dhe bastisjes së banesave të tyre në Eislingen dhe Memingen, janë gjetur dokumente të falsifikuara, pasaporta false, letra për transfere bankare, pajisje elektronike.
Gjykata hetuese ka nisur të përgatisë aktakuzën për dy shtetasit e Kosovës. /Telegrafi/