Bisedimet e paqes për Sirinë, të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, pritet të nisin sot në Gjenevë ndërmjet regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe përfaqësuesve të fraksioneve opozitare siriane.
Bisedimet kanë për qëllim realizimin e një armëpushimi të lëkundshëm, ndërmjet forcave qeveritare siriane dhe luftëtarëve të opozitës.
Militantët e Al-Qaedas dhe të Shtetit Islamik nuk janë të përfshirë në marrëveshjen për armëpushim dhe nuk do të përfaqësohen në bisedimet e Gjenevës.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për bisedimet paqësore, Staffan de Mistura ka thënë se takimet e Gjenevës nuk do të zgjasin më shumë se dhjetë ditë, raporton Rel.
Rusia i ka bërë thirrje De Misturas që t’i përfshijë në bisedimet paqësore të Gjenevës edhe kurdët e Sirisë.
Komiteti i Lartë i Negociatave, një ombrellë e grupeve opozitare, e mbështetur nga Arabia Saudite, tha se do të bëjë thirrje për një qeveri transitore, me fuqi të plota ekzekutive, e cila nuk do ta përfshijë Assadin apo ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij.
Ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Muallam tha se thirrja e opozitës për largimin e Assadit nga pushteti do të jetë një “vijë e kuqe” dhe ka sugjeruar se kjo temë do të ndikonte në prishjen e negociatave në Gjenevë.