Site icon Telegrafi

Në “gjendje të rëndë shëndetësore”, Ratko Mlladiq shtrohet në spital në Hagë

Ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës, Ratko Mlladiq, i cili po vuan dënimin me burg të përjetshëm në Hagë për krime lufte, është shtruar në spital dhe është në “shëndet të dobët”.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë djali i tij Darko Mlladiq.

Në një bisedë të shkurtër telefonike me AFP në Beograd, Darko Mlladiç e ka konfirmuar këtë informacion për mediat vendase.

Ai u tha atyre se ish-gjenerali ishte shtruar në spital për një javë për shkak të gjendjes së brishtë shëndetësore.

Ai ishte fillimisht në spitalin civil në Hagë, ndërsa që nga e enjtja ndodhet në objektin shëndetësor të burgut me seli në Hagë.

“Shëndeti i tij është i keq. Një ekip mjekësh është gati këtu në Serbi të cilët mund të shkojnë ta shohin atë, por ne nuk e dimë ende nëse do të lejohen. Ne do të kërkojmë leje që këta mjekë ta ekzaminojnë atë”, citohet të ketë thënë Mlladiq për AFP.

Shërbimet e burgut të Hagës, të pyetur nga AFP për të komentuar informacionin, janë përgjigjur se “nuk mund të komentojnë gjendjen shëndetësore të të arrestuarit, sepse bëhet fjalë për informacion konfidencial”.

Në qershor të vitit 2021, ishte konfirmuar dënimi i përjetshëm të Ratko Mlladiqit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë konfliktit ndërkomunal në Bosnje nga viti 1992 deri në vitin 1995.

Ai u shpall fajtor për gjenocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës, kur forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8,000 burra dhe adoleshentë myslimanë në korrik të vitit 1995.

Darko Mlladiq u tha disa mediave në Serbi dhe BeH se babai i tij vuante nga “pneumonia, akumulimi i lëngjeve në mushkëri dhe problemet me zemër”. /Telegrafi/

Exit mobile version