Gurthemeli i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Gjakovë, është një proces i angazhimit të Ministrisë, donatorëve dhe ujësjellësve për të ta kompletuar gjithë sistemin nga prodhimi i ujit deri te trajtimi i ujërave të zeza në vend, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik MZHE, Valdrin Lluka.
Këto komente, kreu i MZHE-së i bëri gjatë ceremonisë së e vënies së gurthemelit të Impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në vlerë prej 17 milionë euro, ku morën pjesë drejtues të institucioneve, ambasadorë të vendeve donatore dhe akterë të sektorit të ujërave.
Ministri Lluka theksoi se ky sukses nuk do të ishte i arritshëm pa ndihmën e donatorëve si Qeverisë Gjermane dhe asaj Zvicerane.
“Sot në Kosovë trajtojmë vetëm 2 për qind të ujërave të zeza, derisa në vende e zhvilluara është e kundërta. Por ne do ta ndërrojmë këtë kahe. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza ka filluar në Prizren, tash po fillon në Gjakovë dhe shumë shpejtë do të fillojë edhe në Pejë. Këto tri impiante dhe me impiantin që është në proces e sipër në Prishtinë, ne do të trajtojmë rreth 60 për qind të ujërave të zeza në Kosovë”, tha ai.
Ministri bëri të ditur se aktualisht rreth 84 për qind e qytetarëve kanë të qasje në ujësjellësit rajonal, derisa 7 për qind kanë sisteme vetanake të furnizimit, ndërsa rreth 72 për qind e qytetarëve kanë qasje në kanalizime. /Telegrafi/