Në urdhëresë thuhet: Ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve përveç autobusëve të “Trafikut Urban”, automjeteve të Policisë së Kosovës (PK-së), KFOR-it, EULEX-it, të NP “Hortikultura”, të automjeteve të pronarëve të shoqërive tregtare që ushtrojnë veprimtarin në parkun “Gërmia”, dhe automjeteve emergjente gjatë festës së Një Majit, përkatësisht më 30 prill 2011, 1 dhe 2 maj 2010, në drejtim të parkut “Gërmia”.
Pikat përfundimtare për lëvizjen e automjeteve përveç banorëve të lagjes Normale, Sefali e Taukbashqe do të jetë:
– Kryqëzimi i rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”;
– Kryqëzimi i rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”;
– Kryqëzimi i rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sefalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.
Transporti publik i qytetarëve për në parkun “Gërmia” deri te Pishina do të bëhet ekskluzivisht me autobusë të N.K. “Trafiku Urban”.
“Inspektorati i Komunës së Prishtinës gjatë këtyre ditëve, do t’i parandalojë shërbyesit e paautorizuar që të bëjnë shitjen-shërbimin ndaj qytetarëve, dhe do të organizojë kujdestari me qëllim të ruajtjes së ambientit (përdorimi i zjarreve për destinime të ndryshme), si dhe hedhjen e mbeturinave që ato të bëhen në vende të caktuara”, thuhet në urdhëresën e nënshkruar nga kryetar i Komunës së Prishtinës. /Telegrafi/