Site icon Telegrafi

Në Fushë Kosovë e përjetuan rëndë tërmetin, banori: Paniku më i madh në jetë që nga lufta

Tërmeti që ndodhi në Shqipëri ka shkaktuar panik edhe te qytetarët e Fushë Kosovës. Nga frika ata janë detyruar t’i lënë banesat e tyre për të qëndruar jashtë për disa orë.

Tërmeti që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në Shqipëri ka shkaktuar lëkundje edhe në qytetin e Fushë Kosovës.

Dridhjet e fuqishme të tërmetit të orës 03:50 kanë frikësuar qytetarët, duke i detyruar ata t’i lënë banesat e tyre për të qëndruar jashtë.

“Kemi ndjerë luhatjet pasi jemi në katin e katërt. Filluam të dalim jashtë në një farë forme pa vetëdije. Kemi pritur jashtë rreth 40 minuta. Nuk i kam njohur shumë njerëzit por kemi qenë rreth 150 veta…Kemi qenë në panik që ndoshta kurrë në jetë se kemi përjetuar. Lufta ka qenë por nga ajo e kemi pritur frikën. Ka qenë e papritur. Nuk di njeriu nga shkon”, rrëfen për RTV Dukagjinin, Oruq Ajazi.

Tan Duraku tha se panik u shkaktua edhe nga britmat e fëmijëve.

“Ka pasur mjaft bërtima nga fëmijët. S’kanë pasur faj, janë frikësuar”, deklaroi Tan Duraku, përcjell Telegrafi.

E Feriz Sejdija tha se kanë qëndruar në oborrin e shkollës fillorë “Mihal Grameno” së bashku me shumë qytetarë të tjerë për disa orë.

“Si të mos të kesh panik kur në orën katër tërmeti dridhi shumë. U mbathëm dhe kemi qëndruar në oborr të shkollës deri në mëngjes…Ne edhe tash nuk e dimë kur ndodh ajo punë”, deklaroi Feriz Sejdija.

Lexo po ashtu Lëkundjet e tërmetit i shqetësuan banorët e rrafshit të Dukagjinit

Tërmeti i parë u regjistrua në orën 1:18 minuta pas mesnate, për tu pasuar edhe me 11 tërmete të tjera, ku ai i orës 03:54 ishte më i fortë me magnitudë 6.4 ballë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version