Shoqata Bjeshkatare dhe Alpiniste “Gjeravica” organizon takimin vjetor të bjeshkatarëve në Bogë- Rugovë këtë fundjavë.
Ky takim do të mbahet në kompleksin turistik “Rugova Relax”, ku pritet që pjesëmarrës të jenë më shumë se 200 bjeshkatar nga Kosova dhe rajoni.
Takimet e bjeshkatarëve janë evente tradicionale të organizuara nga Shoqatat e ndryshme bjeshkatare në Kosovë. Këto takime kanë karakter social, vetëdijesues dhe rekreativ.
Aspekti social i këtyre takimeve konsiston në krijimin dhe zhvillimin e kontakteve në mes të bjeshkatarëve nga vendet e ndryshme të Kosovës dhe rajonit.
“Aspekti vetëdijësues i këtyre takimeve konsiston në promovimin e rëndësisë së ruajtjes së natyrës dhe jetës së shëndetshme. Karakteri rekreativ i këtyre takimeve ka të bëjë me organizimin e ecjeve bjeshkatare, ku jepet mundësia e vizitës dhe e promovimit të bukurive natyrore të bjeshkëve të Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Në vazhdën e këtyre takimeve Shoqata Bjeshkatare “Gjeravica” planifikon organizimin e eventit “Takimet Bjeshkatare Gjeravica 2016”, e cila ka si qëllim kryesor prezantimin dhe promovimin e bukurive natyrore të bjeshkëve të Pejës si dhe atraksioneve natyrore të cilat kanë filluar të funksionojnë rishtazi në regjionin e Pejës.
Takimet Bjeshkatare “Gjeravica” kanë një histori të gjatë. Duke qenë Shoqëria Bjeshkatare më e vjetër në Kosovë dhe në rajon, këto takime në të kaluarën kanë pasur jehonë të gjerë pothuajse në të gjithë Jugosllavinë!
“Nëse i ndajmë këto takime në dy periudha, atë të para vitit 1999 dhe pas vitit 1999, të dyja periudhat i kanë pasur sukseset e saja. Vlen të përmendet takimi i vitit 1978 i organizuar në Milishevc i cili mblodhi plot 3000 bjeshkatarë nga e gjithë Jugosllavia. Sa i përket periudhës së pasluftës, respektivisht pas vitit 1999, vlen të përmenden organizimet e vitit 2006-2009 ku kishte një numër i madh i pjesëmarrësve, me afërsisht nga 300 pjesëmarrës”, thuhet në njoftim.
Referuar njoftimit, vitet e fundit shënojnë një rënie në aktivitetet bjeshkatare të Shoqatës “Gjeravica” e cila reflektohet edhe në organizimin vjetor takimet bjeshkatare.
Sidoqoftë, në muajin prill të vitit 2016, nga mbledhja e Kuvendit të Përgjithshëm të Anëtarëve të SHBA “Gjeravica” u emërua kryesia e re e cila sjelli një dinamizëm të shtuar të aktiviteteve bjeshkatare.
Në frymën e ndryshimeve brenda kryesisë së Shoqatës “Gjeravica”, ekziston një frymë e re edhe në organizmin e “takimeve bjeshkatare”.
Kjo frymë e re reflektohet në ide të reja për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve turistike të kësaj natyre që i ofron Komuna e Pejës.
Pjesë e këtij organizimi do të jetë ngjitja për në majën e Hajlës në lartësi prej 2403 metra lartësi mbidetare, e cila do të realizohet të shtunën me datë 17 Shtator.
Poashtu për bjeshkatarët dhe pjesëmarrësit e interesuar do të ketë edhe organizime të tjera siç janë, çiklizmi malor, vizita në shpellën tek kilometri i tetë, si dhe padyshim atraksionet më të mëdha natyrore në qytetin e Pejës, Via Ferrata dhe Zip Line.
Shoqata “Gjeravica” i fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë organizim. /Telegrafi/