Site icon Telegrafi

Në fund të vitit fillon faturimi për shfrytëzimin e veprave artistike

Në fund të këtij viti do të fillojë faturimi i parë për shfrytëzim të veprave artistike, ndërsa viti 2019 do të jetë viti i parë ku gradualisht do të fillojë të rimbursohen njerëzit që përfitojnë prej të drejtës së autorit.

Kështu ka bërë të ditur Florent Boshnjaku, kryetar i Shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave APIK, gjatë një diskutimit në vazhdën e aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Librit të organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së.

Boshnjaku u shpreh se e drejta e autorit është si një lloj pensioni për autorin e një vepre. Ndërsa, Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tha se përcaktimi i tarifës është një proces shumë i vështirë. Sipas tij, mediat nuk kanë qenë të gatshme të bëhen pjesë e marrëveshjes për përdorimin e krijimtarisë muzikore, si subjekt i mbrojtur me të drejtat e autorit

Në anën tjetër, edhe drejtori i zyrës ligjore në KPM, Nimon Racaj ka deklaruar se për institucionin pjesë e të cilit është, një prej sfidave kryesore është e drejta e autorit.

Kujtojmë se pas një periudhe pesëvjeçare të negociatave, muaj më parë është nënshkruar marrëveshja mes Shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave APIK dhe Mediave lidhur me tarifat e përgjithshme që do zbatohen për mediat, gjegjësisht televizionet dhe radiot, për përdorimin e krijimtarisë muzikore si subjekt i mbrojtur me të drejta të autorit.

I tërë procesi është menaxhuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm sa i përket mbrojtjes së kreativitetit dhe kompensimit të autorëve në industrinë muzikore për krijimtarinë e tyre. /KP/

Exit mobile version