Telegrafi

Në fund të muajit do të arrijnë donacione tjera nga Kina për Maqedoninë e Veriut

“Me përpjekje të përbashkëta, pa diskriminim të luftojmë kundër pandemisë Covid-19 dhe me bashkëpunim të ndërsjellë me vendet e botës ta forcojmë sistemin shëndetësor për mirëqenien e shoqërisë, pasi kjo është në të mirë të të gjithë njerëzimit”.

Këtë e theksoi sot ambasadori kinez në Maqedoninë e Veriut, Xhang Xui, i cili shtoi se kah fundi i muajit pritet të arrijnë ndihma nga Kina për vendin tonë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kishte tentime për politizim të pandemisë, për njollosje të Kinës. Kur i shoh raporte për njerëzit që vdesin nga virusi, unë jam vërtet i prekur, kështu që unë jam kundër politizimit të Covid-19, sepse virusi nuk njeh kufij dhe asnjë vend nuk mund ta mposht pandeminë vetë”, tha ambasadori kinez, i cili shtoi se në luftën ndaj virusit, Kina ka marrë ndihma nga më shumë se 140 shtete.

Ai deklaroi se në këtë luftë Maqedonia e Veriut dhe Kina do të jenë bashkë, ndërsa bëri thirrje për respektimin e masave të institucioneve kompetente./Telegrafi/