Peter Piot, shkencëtari që ndihmoi në zbulimin e virusit Ebola, dhe drejtori i Shkollës në Londër të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, ka treguar për “përballjen e tij me vdekjen”, pasi është infektuar me coronavirus.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, profesori kurrë më parë nuk ishte sëmurur seriozisht, por pas 40 vjetësh duke studiuar dhe udhëhequr përgjigjen globale ndaj sëmundjeve infektive përfshirë HIV dhe AIDS, ai tha se “më në fund, një virus më kapi”.
Piot, i cili u nderua për shërbimet ndaj shkencës në vitin 2017, ende po shërohet nga virusi pasi pneumonia e rëndë e la të shtruar në spital.
Ekspertiza profesionale dhe përvoja personale i japin atij një pasqyrë të jashtëzakonshme mbi ndikimin e mundshëm të virusit në shëndetin publik, duke parashikuar se shumë njerëz do të lihen me probleme kronike të veshkave dhe zemrës.
Por ai shpreson se kriza mund të lehtësojë tensionet politike mbi vaksinat dhe t’i detyrojë fushatat kundër vaksinave të rivlerësojnë pozicionet e tyre, si dhe të çojnë në reformimin e Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO).
Në intervistën e tij të parë që nga kontraktimi i virusit, profesori tha që filloi të kishte simptoma më 19 mars kur ai kishte ethe dhe një dhimbje koke të mprehtë.
Ai kishte simptoma të tjera, jo atëherë të lidhura me coronavirusin.
“Sikur kisha dhimbje në kafkë dhe në flokë, gjë që ishte e çuditshme”, tha ai në një intervistë për revistën belge Knack, një version i së cilës u botua në anglisht në revistën Science.
Ai nuk kishte kollë në atë kohë, por instinkti i tij i tha atij se ishte i infektuar me coronavirus.
Ai mendoi se do të kalonte dhe ai vazhdoi të punojë si këshilltar special i presidentit të komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Të përfundosh në spital nga një virus pas katër dekadash pune në sëmundjet infektive që ai studion nuk ishte diçka që e priste.
“Unë i kam kushtuar jetën time luftimit të viruseve dhe më në fund, ata marrin hakmarrjen e tyre. Për një javë kam ekuilibruar mes parajsës dhe tokës, në buzë të asaj që mund të ketë qenë fundi”, tha ai.
“Asnjëherë nuk kam qenë i sëmurë rëndë dhe nuk kam marrë asnjë ditë pushimi nga sëmundja 10 vitet e kaluara. Unë jetoj një jetë mjaft të shëndetshme dhe eci rregullisht. Faktori i vetëm i rrezikut është mosha ime – Unë jam 71 vjeç. Unë jam një optimist, kështu që mendova se do të kalonte”.
Ndryshe, Piot thuhet se ishte një nga kritikët kryesorë të përgjigjes së Mbretërisë së Bashkuar, OKB-së dhe OBSH-së për shpërthimin e Ebolës në Afrikën perëndimore në 2014, të cilën ai e quajti “shumë të ngadaltë”. /Telegrafi/