Telegrafi

Më në fund lëshohen rrogat e arsimtarëve në Kumanovë (Video)

Arsimtarëve nga Kumanova dje iu lëshuan pagat për muajin gusht, edhe pse, sipas marrëveshjes kolektive, pagat duhet t’u lëshohen më së voni deri më datë 15, të muajit të kaluar. Kryetari i Sindikatës së pavarur për arsim, shkencë dhe kulturë Joakim Nedellkovski për TV21 theksoi se komuna planin financiar nuk ia ka dorëzuar në kohë trezorit.

“Komunat ndaj shkollave të jenë më të azhurnuara dhe ta respektojnë afatin ligjor për dorëzimin e dokumentacionit financiar në organet kompetente. Ministria e financave duhet të mendojë se a është ky sistem i pagesave zgjidhja më e mirë, apo mos ndoshta duhet të ketë tjetër mënyrë, që të mos ketë bllokim të pagesave, në rast se ndonjë komunë në nivel republikan ka bërë gabim gjatë llogaritjes”, u shpreh Joakim Nedellkovski, Kryetar i Sindikatës për Arsim.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Kumanovës Zoran Damjanovski theksoi se përllogaritjet e pagave i kanë dorëzuar në ministri para më shumë se 10 ditëve.

“Programet janë dorëzuar qysh më 12 dhe 13 shtator, por ata ndoshta i kanë hedhur apo i kanë vendosur në ndonjë sirtar. Ne këto para nuk mund t’i shpenzojmë, për arsye se janë para të trezorit dhe të destinuara për shkollat”, tha Zoran Damjanovski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.

Muajve të fundit, pagat vonojnë në disa qytete të Maqedonisë, edhe atë në shkollat fillore në Shkup, Tetovë dhe Strugë. Ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu tha se dokumentacionin për pagesën e rrogave e ka nënshkruar në kohë, por Ministria e Financave i ka shpërndarë paratë. /Telegrafi/