Site icon Telegrafi

Më në fund Kuvendi i kthehet normalitetit, votohen tri marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës i është kthyer sot normalitetit, ku deputetët kanë miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare.

Për muaj të tërë marrëveshjet ndërkombëtare nuk kishin kaluar në Kuvend në mungesë të kuorumit.

E sot në vazhdimin e seancës, deputetët e Kuvendit me 93 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratuan Projektligjin nr.08/L-301 për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore.

Po ashtu 93 vota për i mori edhe shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-303 për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – neni 1.

Ndërkaq, pikë e tretë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-302 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.

Kjo marrëveshje u miratua me 80 vota për, ndonëse deputetët e PDK-së nuk morën pjesë në këtë votim.

Megjithë kundërshtitë nga deputetët opozitarë të cilët kërkuan sqarime për këtë pikë të rendit të ditës, Marrëveshja e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat” u miratua me votat e LVV, LDK e AAK-së. /Telegrafi/

 

Exit mobile version