Sean Connery është padyshim aktori skocez më i famshëm i të gjitha kohërave. Ai dallon për theksin e tij të veçantë, stilin dhe sjelljen që e bëjnë të duket një burrë fisnik.
Sidoqoftë, fillimet e Conneryt nuk kanë qenë të lehta. Në moshë të re ai ka bërë lloje të ndryshme punësh, të paguara keq, por ka shpenzuar edhe shumë kohë në palestër për të pasur një fizik muskulor.
Kontakti i tij i parë me aktrimin ndodhi në vitin 1951, kur punonte si mirëmbajtës prapa skenave në Teatrin Mbretëror të Edinburgut, transmeton Top Channel.
Fillimisht fiziku i tij dhe më pas talenti për aktrimin, ranë në sytë e shumë agjentëve dhe dy vite më vonë, ai bëri interpretimin e parë në Broadway, në shfaqjen muzikore “South Pacific”.
Kjo shënoi dhe fillimin e karrierës së tij, por në të njëjtën periudhë ai përjetoi edhe një eksperiencë të rrezikshme me anëtarët e bandës më famëkeqe të viteve të pesëdhjeta në Skoci.
Anëtarët e bandës Valdor e panë atë në një sallë bilardoje, të veshur me një xhaketë moderne, që asokohe do të binte shumë në sy. Ata iu afruan dhe u përpoqën t’ia merrnin xhaketën, por aktori arriti t’i shmangte dhe u largua nga salla.
Ai mendoi se pas largimit ishte i sigurt dhe përshkoi rrugët e qytetit drejt “Palais”, një teatër vallëzimi që ishte në rrënim e sipër.
Por, anëtarët e bandës e ndoqën dhe kur e arritën e detyruan të futej në një zonë të errët dhe nisën ta godisnin, pasi ai kishte sfiduar reputacionin e tyre. Por, bënë një gabim, e nënvlerësuan.
Pasi kishte marrë disa goditje, Connery, fizikisht i fuqishëm dhe me eksperiencë në përleshje për shkak të punëve nëpër bare e lokale, reagoi duke i kapur në surprizë gangsterët.
Grushtet e tij të njëpasnjëshëm bënë që ata të fillonin të tërhiqeshin, por dy prej tyre nuk ia arritën dhe e pësuan keq kur ai i përplasi kokë më kokë.
Një muaj pas sherrit, eksponentë të lartë të bandës shkuan e takuan Conneryn dhe e përgëzuan për performancën e tij e madje i propozuan t’i bashkohej bandës.
Me mirësjellje ai e refuzoi ofertën, por ndjeu njëfarë krenarie që përmes aftësive të tij kishte fituar respektin e bandës së rrezikshme.