Poezi nga: Jeff Weddle
Përktheu: Fadil Bajraj
Lexova i fundit, pas profesorëve të poezisë dhe fituesve të çmimeve të mëdha
dhe menjëherë pas gruas së imët europiane që të gjithë e donin
sepse ajo shkruante për kohë të vështira në vendin e saj të vjetër
dhe përdorte fjalë të tilla si “piçuli” dhe “pidhi” me njëfarë vetësigurie,
dhe ajo ishte karndjellëse, jo edhe aq karndjellëse sa besonte, ama një gjë e tillë është në rregull, sepse ajo përnjëmend ishte goxha karndjellëse,
ajo mori të qeshura nga turma.
E kisha të vështirë t’ia kuptoja theksin, ama gjithsesi tunda me kokë,
e pse dreqin jo,
dhe pastaj ishte radha ime në mikrofon.
Kam harruar të them se ka pasur shumë biseda
mes të tjerëve në program gjatë gjithë kësaj kohe,
dhe rrija ulur atje dhe i shikoja duke biseduar,
dhe pastaj ia lexova poezitë e mia dhomës me fytyra të zbazëta.
Më pas, askush nuk tha gjë, ndërsa ishte radha jonë,
e femrës së imët europiane dhe e imja,
për t’u ulur në tryezën e autorëve dhe për të nënshkruar libra
për këdo që ishte i gatshëm t’i blejë ato.
Ajo i kishte rreshtuar, derisa unë rrija ulur dhe bëja shkarravina
sepse askush nuk donte që unë të firmosja ndonjë gjë.
Ajo i kishte pesë a gjashtë njerëz në radhë që prisnin dhe shumë të tjerë që vinin.
Unë nuk i fajësoj ata.
Të gjitha gjërat janë të barabarta,
Edhe unë mbase më parë do t’i blija gjërat e saj se sa të miat,
sall për t’iu afruar për një minutë.
Ajo ishte këmbëekrye tërbim.
Plus, ajo ishte goxha karndjellëse,
dhe i përdorte për bukuri fjalët “piçul” dhe “pidh”.
Kohët e vështira në vendin e saj të vjetër shndërrohen në ar.
Lufta e të shtypurve
mund të shesë shumë poezi.