Telegrafi

Në Ferizaj ka filluar zbatimi i një sërë projektesh

Me përmirësimin e motit, në Komunën e Ferizajt kanë filluar punimet për realizimin e një sërë projektesh të infrastrukturës. Drejtoria e Infrastrukturës bën të ditur se numri më i madh i projekteve që po jetësohen aktualisht, janë asfaltime rrugësh, por po punohet edhe në projekte ujësjellësi e kanalizimi.

Punimet janë përqendruar në asfaltimin e nëntë rrugëve, kryesisht nëpër fshatra, por edhe në qytet. Po asfaltohen rrugë në Slivovë, Prelez të jerlive, Komogllavë, Pleshinë, Papaz, Talinoc i Muhaxherëve, rruga Rahovicë-Mirash, rrugët “Sejdi Sejdiu” e “Brahim Ademi” (projekt i Ministrisë së Infrastrukturës) në qytet etj.

Tashmë është tenderuar riasfaltimi i rrugës Zaskok-Doganaj dhe “Gergj Fishta”, ndërsa këto ditë pritet inicimi i procedurave të tenderimit për kolektorin kryesor të kanalizimit në Varosh e Nikadin. Ndërkohë është duke u bërë ndërrimi i tubacionit të ujësjellësit në Cërrnillë.

Drejtoria e Infrastrukturës njoftoi se aktualisht në komunën e Ferizajt janë duke u realizuar projekte në vlerë mbi 700 mijë euro. Veç kësaj, brenda një kohe të shkurtër pritet finalizimi i bulevardit në rrugën “Dëshmorët e Kombit” dhe i rrugës “Rexhep Bislimi”.

Komuna e Ferizajt sivjet ka në dispozicion një buxhet prej afro 9 milionë e 50 mijë euro për investime kapitale, prej të cilave rreth 6 milionë janë të planifikuara për infrastrukturë. /Telegrafi/