Site icon Telegrafi

Në Fakultetin e Fizikës në Universitetin e Shkodrës u regjistrua vetëm një student

Të hënën e 7 tetorit nis viti i ri akademik në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat . Afro 19 mijë e 300 të rinj janë studentë të viteve të para, ndërsa vijon procesi i regjistrimit në ato programe që kanë mjaftueshëm kuota të lira.

Në prag të nisjes së vitit akademik, vetëm 60% e kuotave janë realizuar në universitete. Numri më i madh i vendeve të paplotësuara është në shkollat e larta private.

Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj tregon se regjistrimet e të rinjve do të vijojnë deri në mes të tetorit. Po cilat janë programet që kanë ende shumë kuota të lira? “Ka ende programe që mund të lidhem me shkenca ekonomike, juridike, sociale dhe degët që lidhen me mësuesinë, Universiteti Bujqësor, por edhe 2-vjeçaret profesionale”, thotë Xhelaj për A2 CNN.

E nëse degët e Mjekësisë, Informatika dhe Inxhinieritë u plotësuan që në ditët e para të regjistrimeve, degët prioritare dhe veçanërisht mësuesia kanë numër shumë të ulët studentësh.

Në Universitetin e Tiranës, në programet e mësuesisë, është realizuar vetëm 30% e kuotave, ndërsa në rrethe situata është edhe më kritike, pasi ka degë si Fizika në Universitetin e Shkodrës, me vetëm 1 student të regjistruar deri tani.

Exit mobile version