Site icon Telegrafi

“Në emër të lirisë” marshojnë komuniteti LGBTI (Foto)

Me moton “Në emër të lirisë”, komuniteti LGBTI dhe përkrahësit e saj, sot mbajtën “Paradën e Krenarisë”në Prishtinë.

Në këtë paradë mori pjesë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ku në një prononcim për media tha se sot ka dal në përkrahje të komunitetit LGBTI.

“Kam dal në përkrahje të komunitetit LGBTI, sepse çdo qytetarë i Republikës së Kosovës, duhet të ndihet i lirë që të respektohen të drejtat që janë të garantuara me Republikën e Kosovës”, tha Hoxha.

Edhe deputeti nga Partia Social Demokrate (PSD), Frashër Krasniqi, në një prononcim për Telegrafin tha se ka dal për t’u solidarizuar me këtë komunitet si dhe në vazhdimësi do të solidarizohet me të gjitha komunitetet e shtypura në Kosovë.

“Kemi dal sepse besojmë në një shoqëri dhe shtet që nuk e diskriminon askënd. Sot solidarizohemi me komunitetin LGBTI, dhe në vazhdimësi do të solidarizohemi me të gjitha komunitetet e shtypura në Kosovë”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, parada filloi nga sheshi Skënderbeu në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”. Ndryshe, në këtë paradë morën pjesë dhe shumë fytyra të njohura si shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, zëvendës ambasadorja Amerikane në Kosovë e ambasadori i Anglisë Ruari O’Conell.

“Në emër të lirisë ftojmë institucionet shoqërore të mos na humbin lirinë. Sot jemi për të kërkuar liri nga familjarët tanë që nuk e kuptojnë për atë çfarë jemi. Lirinë për të na pranuar kështu si jemi. Derisa krejt jemi të lirë do të jemi zëri juaj”, ka thënë organizatori Lenti Mustafa. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version