Telegrafi

Në ELEM, vitin e kaluar janë harxhuar 56,8 milionë euro për paga, honorare dhe të drejta autoriale

Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në seancën e sotme ka shqyrtuar informata për gjendjen e hasur në SHA Elektrana të Maqedonisë nga fillimi i këtij viti deri më 1 gusht, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në kumtesën e Shërbimit për shtyp të Qeverisë thuhet se sipas kësaj analize prodhimi i energjisë elektrike në ELEM është në rënie të vazhdueshme, përderisa harxhimet e thëngjillit dhe naftës për megavat energji elektrike të prodhuar, është në rritje të vazhdueshme. Kjo situatë jologjike, siç thuhet në analizë, në punën e ELEM është  pasojë e përdorimi joadekuat të kapaciteteve për energji elektrike dhe punës joekonomike, me nënshkrimin e kontratave të shtrenjta me kompani të huaja nga ana e udhëheqësisë paraprake të ELEM.

Sipas analizës, veçori në punën e SHA ELEM është mbipunësimi dhe puna joproduktive, ndërsa për pagat dhe honoraret e 5.489 të punësuarve dhe personave të angazhuar me kontrata autoriale, gjatë vitit 2016 janë harxhuar 56,8 milionë euro, ku si shërbime më të shtrenjta ceken ato të zyrave të avokatëve në vend dhe jasht, që për tre vite kanë kushtuar 2,5 milionë euro.

Në seancën e sotme, Qeveria e Maqedonisë i sugjeroi udhëheqësisë së re të SHA ELEM-it, të ofrojë zgjidhje të mundshme për këtë gjendje në të cilën ndodhet kjo kompani dhe të vendosë në përdorim të gjitha kapacitetet për të mundësuar rritje në prodhimin e energjisë elektrike për shmangje të mungesës së mundshme të rrymës në vend./Telegrafi/