Zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk do të duhej të kalonin pa një skanim (rentgen) total. Në të kundërtën, imazhi i keq i Kosovës do të bëhej akoma më i trishtë dhe qelbi i mbledhur nga përmbysja më banale e demokracisë në Kosovë, do të shpërthente shumë më keq gjatë vitit të ardhshëm, kur edhe proceset politike që na presin do të jenë të nxehta dhe temat që duhet t’i zgjedhin mandatarët e rinj do të jenë jo të lehta dhe shumë, shumë të komplikuara
Dolën do kapadai në ditën e zgjedhjeve dhe pa pikë marre e fëlliqen imazhin e Republikës së Kosovës, në sy të botës. Dy-tre mijë adoleshentë në mbarë vendin, të toleruar apo të mbështetur nga organizatorët e zgjedhjeve (kjo ka pak rëndësi), ia qitën faqen e zezë Kosovës. Kështu ndodhi, sepse fati i demokracisë, në momentin jetik, në ditën e 12 dhjetorit, u la në duar të disa komisionerëve që për pesë euro shesin veten, qoftë te akëcila parti politike, qoftë te akëcili kandidat, që ka para dhe e blen vullnetin e popullit, vjedhurazi. Mbase nuk vlen për të gjithë, po për pjesën dërmuese – po. Mjafton të themi se shuma e vjedhur e demokracisë në Kosovë, kësaj here, është e mjaftueshme për ta përcaktuar fituesin (partinë e parë). Së dyti, vjedhja e brendshme, ndoshta më pak e ndjeshme, brenda partive politike, mjafton që kalkulueshëm të kemi një parlament, me dominim hajnash, që mund t’i bëjnë numrat e mjaftueshëm për ta krijuar një qeveri, për faqe të zezë, pas këtyre zgjedhjeve.
Shtoji gjithë kësaj edhe organizimin skajshmërisht të dobët nga KQZ-ja, atëherë gjithçka i përngjan një demokracie somnambul (të përjermtë), të cilën vetë po e ushqejnë organizatorët, vëzhguesit dhe pjesëmarrësit e këtyre zgjedhjeve.
Nga një parlament hajnash dhe keqpërdoruesish, reflektueshëm, do të kemi institucione të vjedhura dhe institucione vjedhësish, që, pasi e vodhën dhe keqpërdorën votën dhe vullnetin e popullit, çfarë do të bëjnë nesër, kur të mandatohen në krye të qeverisë dhe të institucioneve të tjera të vendit.
Një situatë e tillë, një proces kaq i zi dhe i tmerrshëm zgjedhor, si ai që u rrumbullakësua më 12 dhjetor, nxjerrë shumë pikëpyetje para nesh, para subjekteve politike, para organizatorëve të zgjedhjeve dhe para partnerëve tanë ndërkombëtarë, me të cilët erdhëm së bashku deri këtu ku jemi sot. Vendin e çliruam së bashku, shtetin e ndërtuam së bashku dhe gjithçka deri më tani e bëmë së bashku. Andaj, edhe përgjegjësia do të jetë e përbashkët. Zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk do të duhej të kalonin pa një skanim (rentgen) total. Në të kundërtën, imazhi i keq i Kosovës do të bëhej akoma më i trishtë dhe qelbi i mbledhur nga përmbysja më banale e demokracisë në Kosovë, do të shpërthente shumë më keq gjatë vitit të ardhshëm, kur edhe proceset politike që na presin do të jenë të nxehta dhe temat që duhet t’i zgjedhin mandatarët e rinj do të jenë jo të lehta dhe shumë, shumë të komplikuara.
Me një fjalë, nëse e përmbyllim 12 dhjetorin veç duke kaluar nëpër të, do ta fusnim Kosovën në një kapitull të nderë dhe shumë të ndërlikuar, në vitin 2010 apo në mandatin e ardhshëm qeverisës.
Nëse sipas trendit të deritashëm, konfirmohen keqpërdorime kaq të mëdha, siç po del gjatë rinumërimit në 40-përqindëshin e kutive të gjithëmbarshme zgjedhore në vend, nëse janë kaq të mëdha shpërputhjet midis të vërtetës brenda kutive dhe të asaj që është raportuar si rezultat, atëherë nuk është e nevojshme të rinumërohen edhe kutitë tjera (60 për qind, sa janë), port ë anulohen zgjedhjet, të pranohet se organizmi ka qenë i tmerrshëm, të shkohet tutje me një qeveri teknike dhe Republika e Kosovës të bëhet gati për zgjedhje pas nëntë muajsh, në ditë kohë më të mirë për to, kur ka mot të mirë dhe kur dita është më e gjatë se nata.
Shumë herë Kosova ua ka parë sherrin netëve të tilla, me të ftoftë, me mjegull dhe përplot anarki, siç ishte 12 dhjetori i këtij viti. Duke e anuluar (korrigjuar) krejtësisht 12 dhjetorin, do ta shpëtonim demokracinë, do ta mbronim deri diku imazhin e përmbysur të shtetit më të ri në botë dhe do ta dëshmonim dallimin (diferencën) midis demokracisë në Kosovë dhe asaj në Haiti, Somali, Ugandë apo Afganistan…Populli i Kosovës nuk e meriton që t’i vidhet vullneti. Populli i Kosovës nuk e meriton një qeveri të ngritur me krimin mbi votën e lirë. Gjynah për demokracinë! Gjynah për vendin dhe njerëzit e vendit tonë!
(Autori është anëtar i Kryesisë dhe Zëdhënës i AAK-së)