Site icon Telegrafi

Në Drenas vazhdon paraqitja e vullnetarëve për të ndihmuar stafin shëndetësorë

Thirrjes së kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci për të ndihmuar personelin shëndetësorë në rast nevoje, në këtë situatë emergjente shëndetësore, vazhdojnë t’i përgjigjen shumë vullnetarë doktorë e infermierë.

“Doktori i Mjekësisë së Përgjithshme, Burim Fazliu, ka shprehur gatishmërinë që vullnetarisht të ndihmojë qytetarët e komunës sonë, për të tejkaluar situatën e krijuar nga virusi COVID-19. Vlen të theksohet se Dr. Burim Fazliu për më shumë se 9 muaj ka punuar vullnetarisht në QKMF  ‘Dr.Hafir Shala’, në Drenas”,  thuhet në njoftimin publik të bërë nga Komuna e Drenasit.

Vullnetarisht, thirrjes së kryetarit Lladrovci, e kanë shprehur edhe disa infermierë për të kontribuar dhe ata janë; Besian Binaku, Donjeta Shala, Gresa Fejzullahu e Valbonë Berisha.

“Paraqitjen vullnetare të doktorit Fazliu dhe infermierëve të tjerë, kryetari Lladrovci e ka vlerësuar shumë dhe ka falënderuar e përgëzuar të gjithë ata që po tregojnë gatishmërinë dhe përkushtimin për të ju bashkëngjitur personelit shëndetësor në QKMF në Drenas. Vullnetarët i ka quajtur heronj dhe krenari e vendit për të menaxhuar situatën së bashku. Numri i vullnetarëve për secilën ditë po rritet, mirëpo nevojat për tu pajisur me maska, dorëza e dezinfektues janë të mëdha për stafin shëndetësor të Drenasit”, vijon njoftimi.

Komuna e Drenasit, kërkon nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, që të furnizojnë QKMF-në në Drenas dhe QMF-në në Komoran, me pajisje të nevojshme mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me virus COVID-19 në Drenas dhe Shtabi Emergjent po e mbikëqyrë situatën dhe po zbaton rekomandimet e Institutit Kosovar të Shëndetësisë Publike dhe udhëzimet e dala nga Qeveria e Republikës së Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version