Sot në Kuvendin e RMV kryetari i SHGM Mlladen Çadikovski dhe drejtori Dragan Sekullovski kanë zhvilluar takim me kryetarin e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, Ilija Dimovski.
Në këtë takim është biseduar për procesin e bllokuar të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe të Këshillit Programor të RTM. Është rëndë dakord që në ditët në vijim Dimovski të thërrasë seancë të këtij Komisioni, i cili do të fillojë procedurën për zgjedhjen e personave në këto Këshilla si parakusht për reforma në rregullatorin mediatik dhe servisin publik. Sipas Dimovskit, nëse ka konsensus politik, pritet që menjëherë pas pushimeve verore të fillojë detyrimi ligjor dhe të organizohet debat publik për kandidatët të cilët i plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur në Kuvend këto dy këshilla me dy të tretat e shumicës së deputetëve.
Nga SHGM-ja u theksua se për këtë procedurë tanimë janë tejkaluar të gjitha afatet dhe se pas caktimit të seancës, partitë politike duhet të shfaqin nivel të lartë të mirëkuptimit për tejkalimin efektiv të bllokadës në reformat mediatike.
Përpos kësaj, në takim u theksua edhe problemi i mosfunksionimit të Komisionit për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione të karakterit publik i cili nuk ka kuorum më shumë se një vjet për të vendosur mbi parashtresat e gazetarëve dhe qytetarëve. Ky Komision, tashmë Agjenci, me ndryshimet në ligjit në maj të vitit 2019, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përmirësimin e transparencës së institucioneve publike rreth asaj se si punojnë dhe si i shpenzojnë paratë e qytetarëve. Përfaqësuesit e SHGM-së kërkuan që menjëherë të angazhohet Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend dhe të zbatojë ligjin duke zgjedhur drejtorin e ri dhe zëvendësdrejtorin e kësaj Agjencie./Telegrafi/