Në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris do të bëjë sot fushatë në Miçigan, ndërsa rivali i saj republikan Donald Trump do të ndalet në tre shtete të tjera vendimtare për rezultatin.
Anketimet tregojnë se gara është tepër e ngushtë dhe ekipet zgjedhore të kandidatëve thonë se nuk janë të sigurt se cili do të dominojë në shtatë shtetet që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin e së martës.
Një sondazh që tregonte se demokratja Harris kryeson në Ajova, një shtet që Trump e fitoi lehtësisht në dy zgjedhjet e kaluara, ngriti mundësinë e një rezultati të papritur, megjithëse një tjetër sondazh tregoi se ajo ishte prapa në atë shtet.
Zonja Harris do të bëjë fushatë në Ist Lensing, në Miçigan. Demokratët e shohin si domosdoshmëri fitoren në këtë shtet.
Ajo përballet me skepticizëm nga një pjesë e komunitetit prej afro 200 mijë arabo-amerikanësh në këtë shtet, të cilët janë të zemëruar që zëvendës-presidentja aktuale nuk ka vepruar më shumë të bërë të mundur dhënien fund të luftës në Gazë dhe për të reduktuar ndihmën për Izraelin.
Zoti Trump vizitoi të premten qytetin Dirborn, qendrën e komunitetit arabo-amerikan dhe u zotua t’i japë fund luftërave në Lindjen e Mesme.
Trump do të mbajë takime zgjedhore në tre qytete më të vogla që mund ta ndihmojnë atë të nxisë votuesit ruralë që paraqesin një pjesë të rëndësishme të bazës së tij.
Ai do ta nisë ditën në Lititz të Pensilvanisë, përpara se të shkojë në Kinston, të Karolinës së Veriut pasdite dhe në mbrëmje të zhvillojë një tubim në qytetin Macon, të Georgias.
Do të jetë dita e parë që nga e marta e kaluar që dy kandidatët nuk bëjnë fushatë në të njëjtin shtet.
Të shtunën, avionët e tyre ishin krah më krah në pistën e aeroportit të qytetin Sharlot, të Karolinës së Veriut, ku të dy kandidatët mbajtën tubime zgjedhore.
Zonja Harris më vonë udhëtoi për në Nju Jork ku bëri një paraqitje surprizë në emisionin “Saturday Night Live”.
Në ditët e fundit të fushatës, zonja Harris është përpjekur të bindë votuesit se do të ulë koston e jetesës, një shqetësim kryesor ndërsa prej vitesh amerikanët janë përballur me inflacion. Ajo gjithashtu e ka portretizuar zotin Trump si të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm dhe u ka bërë thirrje amerikanëve që të shkëputen siç thotë ajo, nga qasja përçarëse e zotit Trump.
“Ne kemi një mundësi në këto zgjedhje që të lëmë pas një dekadë gjatë së cilës Donald Trumpi është përpjekur të krijojë ndasi dhe frikësim mes njëri-tjetrit. Kjo kohë ka ikur”, tha ajo në tubimin në Karolinën e Veriut të shtunën.
Republikani Trump ka argumentuar se zonja Harris, si Nënpresidente, duhet të mbahet përgjegjëse për çmimet në rritje dhe nivelin e lartë të emigracionit gjatë viteve të fundit, që ai e konsideron si kërcënim për vendin.
“E vetmja ndihmë falas që ata (emigrantët) do të marrin është një udhëtim falas për t’u kthyer në vendin e tyre”, tha ai në një tubim në Karolinën e Veriut të shtunën.
Të paktën 75 milionë amerikanë kanë votuar përmes votimit të hershëm, sipas të dhënave të Laboratorit të Zgjedhjeve në Universitetin e Floridës, e barabartë me afro gjysmën e gati 160 milionë votave që u hodhën në zgjedhjet e 2020.
Megjithatë, fituesi mund të mos dihet për disa ditë, pasi shteteve si Pensilvania do t’ju duhet kohë për të numëruar votat e hedhur me postë. /VOA/