Site icon Telegrafi

Në ditën e parë të shënimit të Javës Globale në Ndërmarrësi, në UBT adresohen barrierat me të cilat përballen ndërmarrësit

UBT ka nisur punimet Java Globale e Ndërmarrësisë, e cila mblodhi përfaqësues institucionesh, përfaqësues nga akademia, ndërmarrës dhe dhjetëra studentë, të cilët së bashku adresuan arritjet, fokusin aktual dhe atë të ardhshëm, si dhe sfidat e barrierat me të cilat po përballen ndërmarrësit me përvojë dhe ata të rinj në Kosovë.

Në hapje të kësaj jave që po shënohet në rreth 170 vende të botës, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se që nga themelimi, UBT ka qenë pionier në sjelljen e inovacioneve dhe teknologjive të kohës dhe se gjithmonë është përpjekur e ia ka arritur që të mbështesë dhe të promovojë ndërmarrësit e rinj, të cilët me produktet e tyre sot janë duke shënuar sukses të jashtëzakonshëm në tregun vendor dhe ndërkombëtar.

“Ne kemi diplomuar mbi 15 mijë studentë dhe 98% prej tyre janë punësuar pas përfundimit të studimeve. Përveç kësaj, kemi krijuar një shkollë unike të ekonomisë, ku ndërmarrësia dhe inovacioni janë pjesë obligative e kurrikulës, e një e tillë është përshtatur edhe për të gjitha fushat e tjera të studimit në UBT, sepse kompetencat ndikojnë në formimin e produkteve të reja dhe infrastrukturës së përshtatshme, përmes të cilës stafi dhe studentët kanë qenë dhe janë në gjendje krijojnë ndërmarrës të rinj”, tha Hajrizi.

Ai tregoi se falë këtij bashkëpunimi ekzistues, studentët po garojnë me universitetet më të mira në botë dhe po triumfojnë në shumicën prej tyre, kjo sepse, UBT ka ditur si ta krijojë dhe ta mbajë gjallë shpirtin ndërmarrës të studentëve të vet.

UBT ka arritur të krijojë fakultetin më të madh për shkenca kompjuterike, që krijon potencial në fushën e digjitalizimit. Studentët tanë kanë krijuar dhjetëra ‘spin off’ brenda dhe jashtë UBT-së, të cilat sot veprojnë me plot sukses si entitete të ndara, teksa studentët tanë po garojnë në nivel botëror dhe po zgjidhen më të mirët”, theksoi Hajrizi.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj potencoi se UBT ka qenë lider në lidhjen e biznesit dhe ndërmarrësisë, por sipas tij, duhet punuar edhe më shumë bashkërisht që të nxisim zhvillimin dhe përkrahjen e ndërmarrësve të rinj.

“Aktualisht po përballemi me një tendencë të shpejtë e shfrytëzimit të teknologjive me efekte ekonomike, jo për nevoja ditore, por për efekte ekonomike, kjo sepse zhvillimi teknologjik po e bënë revolucionin të katërt industrial dhe e tërë kjo falë gjeneratave të reja, të cilët janë të gatshëm për t’u përballur me sfida që nuk janë të lehta”, vlerësoi ai.

Beqaj adresoi edhe barrierat me të cilat mund të përballet zhvillimi i ndërmarrësisë, dhe për këtë, sipas tij, duhet të lidhet shkenca, inovacioni dhe hulumtimi, si dhe duhet të bëhet riorientimi i ekonomisë drejt kërkesave të tregut, me ç’rast shpjegoi se ministria të cilën ai e drejton po përpiqet ta rregullojë ekosistemin në kuptimin infrastrukturor, ligjor dhe financiar.

Nënkryetari i zyrës së organizatës “UNICEF”, në Kosovë, James Mugaju vlerësoi se investimi në rini është investim në prosperitetin e një shteti. E pikërisht këtë, sipas tij, e ka sjellë UBT përmes investimit dhe përkrahjes së vazhdueshme të inovatorëve dhe ndërmarrësve të rinj, andaj edhe po luan rol kyç në prosperitetin e Kosovës.

“Unë e çmoj lidershipin dhe kontributin e UBT-së për të investuar tek të rinjtë sepse ka arritur që tek kjo gjeneratë të ngjallë shpirtin ndërmarrës, si dhe u ka ndihmuar ta gjejnë veten”, potencoi ai.

Duke folur rreth barrierave të cilat Kosova duhet t’i thyejë për t’i ndihmuar ndërmarrësit që të fillojnë dhe të kenë sukses, Mugaju tha se duhet investim në cilësinë e arsimit dhe në kapitalin njerëzor, pasi ky është çelës për lirim nga varfëria, margjinalizimi dhe injoranca. E po ashtu, sipas tij, sfidë e dytë është edhe krijimi i politikave të paqes dhe stabilitetit politik, sepse pa këto është e vështirë të krijohet një sistem i qëndrueshëm për gjeneratat e reja.

Natyra e panelit të diskutimit për pikësimin e barrierave për ndërmarrësit në Kosovë u pasurua me prezencën e përfaqësuesit të BIRN-it, Labinot Leposhtica, i cili solli gjetje interesante nga hulumtimi i BIRN-it për programin “Angazhimi për Barazi”, që e përballë Kosovën me një realitet aspak të favorshëm në aspektin e nxitjes në ndërmarrësve në baza gjinore, e prej të cilit preken negativisht gjinia femërore.

“Kosova nuk qëndron aspak mirë në raport me shtetet me të cilat kufizohemi, në aspektin e respektimit të së drejtës për trashëgimi në pronë. Në Kosovë vetëm 16% e vajzave dhe grave kanë pasur mundësinë të trashëgojnë, në raport me Shqipërinë që këtë shifër e ka 29% dhe me Serbinë që e ka 49%”, konstatoi ai.

Leposhtica tregoi se në këtë kanë ndikuar një mori faktorësh siç është fakti që ndonëse ekzistojnë ligjet e shkruara në Kosovë, në praktikë infrastruktura ligjore çalon jashtëzakonisht shumë në dëm të grave, sepse, siç shpjegoi ai, në shumë raste gratë qëllimisht nuk njoftohen, madje edhe paragjykohen nga vetë noterët dhe gjyqtarët për vendimin që e kanë marrë për kërkim të pasurisë.

Në diskutim u bashkuan edhe profesorët, studentët dhe të pranishmit e tjerë, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre mbi sfidat dhe barrierat me të cilat përballen ndërmarrësit e rinj në Kosovë, ku edhe u adresua mungesa e mbështetjes institucionale, siguria dhe përgatitja profesionale, mungesa e trashëgimisë në pronë, etj.

Java Globale e Ndërmarrësisë në UBT nesër do të shënohet me diskutimin e hapur për rolin e Open Data dhe Big Data në ndërmarrësi, që do të nisë me fillim nga ora 17:30, në objektin e UBT-së në Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version