Në kuadër të shënimit të 1 Qershorit – Ditës së Fëmijëve, në bashkëpunim me UNICEF-in, institucione dhe organizatat e tjera partnere, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës është mbajtur një seancë e veçantë nga nxënës prej komunave të ndryshme të Kosovës, e emërtuar “Vendosja e fëmijëve në rend të parë”.
Në fjalën e tij para nxënësve, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se “1 Qershori është ditë e gëzimit të tuaj, por edhe ditë e llogaridhënies sonë si prind, edukatorë, si institucione se çfarë jemi duke bërë për mirëqenien tuaj, edukimin tuaj, lumturinë tuaj”.
Veseli tha se deri më tani Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë dy ligje që në mënyra të ndryshme prekin edhe të drejtat e fëmijëve: Ligjin për familjen dhe Ligjin për shërbime sociale dhe familjare.
Në këtë takim, foli, po ashtu, edhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad.
Fëmijët, ndërkaq, trajtuan tema që lidheshin me të drejtat e tyre dhe zbatimin i legjislacionit që garanton përmbushjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Takimi u përmbyll me një fjalë të deputetes Flora Brovina, e cila u angazhua që të adresojë dhe përcjellë tek kolegët e tjerë kërkesat e shprehura të fëmijëve.
Aktivitet në kuadër të kësaj dite vazhduan me vizita të tjera të fëmijëve. Rreth 800 nxënës nga e gjithë Kosova vizituan mjediset e Kuvendit dhe u takuan me përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve, duke shënuar kështu edhe aktivitetin kulmor në kuadër të “Javës së fëmijëve në Kuvend”.