Sot në 25-vjetorin e çlirimit të Skenderajt do të përurohet skulptura e Leutrim Ahmetit, 7-vjeçarit të vrarë gjatë luftës.
Leutrim Ahmeti është njëri nga fëmijët shqiptarë që u vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai ishte 7- vjeçar dhe ndërroi jetë me 11 shtator 1998 në spitalin ushtarak në Gradicë të Drenasit, ku edhe u varros.
Tetë muaj pas vrasjes së Leutrimit, në vijën e parë të frontit të luftës, ra heroikisht edhe babai i tij, komandant Malush Ahmeti, shkruan Telegrafi.
E në Ditën e Çlirimit të Skenderajt do të vendoset skulptura e Leutrimit.
Skulptori që ka bërë këtë vepër artistike, Sabri Behramaj.
Ai në një intervistë për Telegrafin ka thënë se fillimisht ishte frymëzuar nga intervista e Nusret Pllanës me nënën e 7-vjeçarit, e cila ishte shpërndarë edhe në rrjetet sociale.
“Pasi e dëgjova rrëfimin e nënës u preka thellë dhe për një moment e ndjeva si obligim që të bëj diçka nga mundësitë e mia për ta kthyer ngjarjen në vepër arti”, ka thënë Behramaj.
Behramaj është shprehur optimist se skulptura e Leutrim Ahmetit ka përcjellë mesazhin në formën më të mirë, kështu duke i rikthyer brezat e rinj edhe njëherë në histori jo të largët për të mos i harruar dhe nderuar të gjitha viktimat e gjenocidit serb që ranë për lirinë e Kosovës. Njëkohësisht edhe për të bashkëndjerë dhimbjen me prindërit dhe familjarët e të rënëve. /Telegrafi/