Një spital në Provincën Guizhou në jugperëndim të Kinës liroi të hënën rastin e fundit të konfirmuar të provincës me sëmundjen e koronavirusit (COVID-19).
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një pacient 65-vjeçar, i cili u konfirmua më 3 shkurt se ishte infektuar.
Ndërkohë, siç bëhet e ditur, Guizhou raportoi gjithsej 146 raste të COVID-19.
Me përjashtim të dy vdekjeve, të gjithë pjesën tjetër janë liruar të shëndoshë nga spitali.
Gjithashtu, siç thuhet më tej, mbi një duzinë e rajoneve të nivelit të krahinës, përfshirë Tibetin, Xinjiang, Shanxi, Fujian, Chongqing dhe Tianjin janë të “pastër” nga infeksionet e coronavirusit, pasi pacientët e tyre të fundit me COVID-19 ishin liruar nga spitali.
Ndonëse supozohet se është burimi i coronavirusit, Kina, së paku sipas të dhënave të fundit, duket se ka arritur “kulmin” e numrit të të prekurve në ditë.
Madje, siç ishte raportuar, ky vend ka mbyllur edhe disa spitale të cilat ishin ngritur ekskluzivisht për të prekurit me coronavirus.
Në këtë drejtim, janë duke qarkulluar edhe disa pamje, sipas përshkrimit të së cilave, mjekët në qytetin më të prekur, Wuhan heqin maskat nga fytyra e tyre.
Se Kina nuk vazhdon të mbetet “vendi më i nxehtë” i coronavirusit në botë, e ka thënë edhe shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Evropa tani është bërë epiqendra e pandemisë Covid-19”, tha ai në një konferencë për shtyp në Gjenevë, pak ditë më parë, duke theksuar se kontinenti ka raportuar më shumë infeksione dhe vdekje sesa pjesa tjetër e kombinuar e botës, përveç Kinës. /Telegrafi/