Site icon Telegrafi

Në disa komuna ende nuk ka filluar numërimi i votave për kandidatët, KQZ shpjegon shkaqet dhe Planin B

Në 12 komuna të vendit ende nuk ka filluar numërimi i votave të cilat kanë dalë nga zgjedhjet e fundit të mbajtura për Kuvendin e Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka shpjeguar se kjo vonesë është shkaktuar nga disa probleme teknike të lidhura kryesisht me shërbimet profesionale dhe IT-në.

Ai tha se kjo ka kërkuar punë intensive në terren për të mundësuar që procesi i numërimit të mund të nis për kandidatët nga dita e nesërme.

“Në këto komuna ku nuk ka filluar procesi i numërimit janë kryesisht probleme të shërbimeve profesionale, ato të IT-së. Ta zëmë lidhjen e kamerave me Lap top e me TV, e po bëhet punë në terren, në mënyrë që nesër të filloj numërimi për kandidatët”, ka thënë ai.

Ahmetaj ka shtuar se Sekretariati i KQZ-së ka një plan të dytë, i njohur si “Plani B”, në rast se problemet teknike vazhdojnë të ndikojnë në afatet e parashikuara.

Ai ka siguruar se, nëse do të jetë e nevojshme, ata janë të gatshëm të përdorin metodat tradicionale të numërimit, duke shtypur tri lloje të formularëve, për të siguruar që procesi të shkojë përpara pa pengesa.

“Sekretariati i KQZ-së është i gatshëm dhe me planin B. Plani B është që ne duhet t’i shtypim tri lloje të formularëve. Për metodën e vjetër sekretariati është i gatshëm që të shkojmë me metodën e vjetër të numërimit”, ka thënë Ahmetaj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version