Site icon Telegrafi

Në dhjetor nis gjykimi ndaj dy prej të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

Foto: Arkiv/Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ditë më parë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (të moshës madhore), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin e dhunimit të vajzës 11-vjeçare.

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj dy personave të moshës madhore do të nisë me 22 dhjetor.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar për dy të dyshuarit madhor E.R dhe SH.K. është caktuar me datën 22.12.2022 në ora 13:00”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, në aktakuzë bëhet e ditur se i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, dhe “Trafikimi me njerëz”, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

Si të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares janë arrestuar gjithsej 12 persona.

Fillimisht ishin arrestuar E.R, SH.K dhe tre të mitur nën dyshimin se e kanë dhunuar 11-vjeçaren në lagjen “Arbëria” në kryeqytet.

Ndërsa, më vonë u bë publik lajmi se 11-vjeçarja ishte pre e trafikimit dhe dhunimit edhe në qershor, kur ishte raportuar e zhdukur. Për këtë rast janë arrestuar gjashtë persona.

Dhunimi i 11-vjeçares ka ngjallur reagime të shumta. Për rastin ka dhënë dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.

Në Prishtinë, Tiranë e Shkup u mbajtën protesta pas këtij rasti ku u kërkua mbrojtja e vajzave dhe grave. Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale, dhe dënim për kryerësit e këtyre veprave. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version