Telegrafi

Në dhjetor ishte cilësuar si përgjegjës për trazirat në Kapitol, Gjykata e Lartë vendosë që emri i Donald Trumpit të kthehet në listat e votimit në Kolorado

Gjykata e Lartë e SHBA-së ka hedhur poshtë përpjekjet e shtetit të Kolorados, për të hequr Donald Trumpin nga listat e votimit për president të SHBA-së.

Emri i tij tani mund të qëndrojë në fletën e votimit për president në shtet, pasi gjykata hodhi poshtë pretendimet se ai ishte përgjegjës për trazirat e Kapitolit në vitin 2021.

Në platformën e tij të mediave sociale pas vendimit, Trump shkroi: “Fitore e madhe për Amerikën”, transmeton Telegrafi.

Trump është kandidati kryesor për nominimin republikan, për të sfiduar presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit në SHBA.

Rivalja e tij e vetme e mbetur për emërimin e partisë së tij është ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley.

Gjykata e Lartë e Kolorados tha në dhjetor, se Trump nuk mund të kandidonte për zgjedhje në shtet, sepse ai ishte “angazhuar në kryengritje ose rebelim”.

Gjyqtarët vendosën se Trump u diskualifikua sepse ai kishte nxitur trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në ndërtesën e Kapitolit në Uashington DC, në një përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. /Telegrafi/