Telegrafi

Në Deçan, kompania për pastrimin e rrugëve largon borën edhe nga trotuaret (Foto)

Reshjet e borës që ranë gjatë ditëve të kaluara, shkaktuan vështirësi në qarkullim duke bërë kështu që shumë rrugë në disa komuna të jenë të pakalueshme.

Ani pse gjatë ditës së sotme reshjet e borës kanë ndaluar, në komunën e Deçanit kompania “Lika” e cila është kontraktuar nga komuna për mirëmbajtjen e  rrugëve, ka vazhduar me pastrimin e tyre.

Kjo kompani përpos rrugës kryesore ka pastruar edhe trotuaret duke ua bërë më të lehtë qarkullimin edhe këmbësorëve.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili ka thënë se të gjitha rrugët në këtë komunë janë të kalueshme.

” Pas punës intensive të Kompanisë “Lika”, rrugët e të gjitha fshatrave të komunës së Deçanit tani më janë pastruar dhe janë të kalueshme! Gjithmonë do të jemi në shërbimin tuaj qytetarë të dashur!”, ka shkruar Ramosaj në Facebook. /Telegrafi/