Site icon Telegrafi

Në çerdhet e Tetovës nuk ka të infektuar me coronavirus

Foto Ilustruese

Në bazë të dhënave të fundit nga institucionet arsimore në Tetovë, 7 mësues janë pozitiv me coronavirus, kurse katër grupe të fëmijëve janë në izolim për shkak se kanë ndjekur mësimin me prezencë fizike. Në ndërkohë, për fat të mirë, në çerdhet e Tetovës nuk ka asnjë edukatore apo fëmijë të infektuar me këtë virus. Udhëheqësi i Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi, thotë se maksimalisht janë duke u ndjekur masat dhe protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtje nga virusi Covid 19.

“Ashtu si është gjendja në përgjithësi në vend, e njëjta reflektohet në Tetovë. Ne jemi të përkushtuar që të respektojmë të gjitha masat për mbrojtje nga Covid 19 që janë sjellë nga Komisioni për sëmundje infektive dhe Ministria e Shëndetësisë për të evituar infektimet e mundshme tek fëmijët dhe stafi arsimor. Duke patur parasysh këto masa restriktive, numrat janë më të vegjël në krahasim me vitin e kaluar. Prandaj, për momentin nuk kemi asnjë grup të izoluar apo punëtor në çerdhet e Tetovës. Kurse në shkollat e Komunës së Tetovës ku mësimi ndiqet me prezencë fizike, kemi 7 mësues të infektuar me Coronavirus dhe katër grupe të fëmijëve që ndodhen në izolim. Jemi duke e ndjekur situatën gjatë tërë kohës dhe veprojmë konform protokolleve”, thotë Qazimi.

Për mirëmbajtjen e pastërtisë nëpër objektet shkollore, sipas Qazimit, është bërë edhe rialokimi i mjeteve. “Objektet shkollore dezinfektohen në nivel ditor dhe javor. Krahas kësaj, bëhet edhe dezinfektimi brenda në shkollë edhe gjatë kohës së pushimit mes ndërrimeve, higjiena mbahet në nivel të lartë dhe mjetet këtë vit kryesisht janë alokuar për mbajtjen e higjienës dhe blerjes së pajisjeve dezinfektuese. Deri më tani nuk kemi patur ankesa nga prindërit sa i përket mirëmbajtjes së higjienës dhe pastërtisë, dhe ne vazhdojmë të jemi të fokusuar në këtë drejtim”, shprehet mes tjerave Qazimi.

Në ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë, në Tetovë numri i të infektuarve me Coronavirus ka kaluar mbi 6 mijë. Ditëve të fundit ka tendencë gjithnjë të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19. Në ndërkohë, të martën 46 pacientë të rinj janë hospitalizuar gjatë 24 orëve të fundit në Tetovë dhe të gjithë janë në terapi me oksigjen. Gjatë javës së kaluar, në Tetovë po ashtu ka filluar edhe vaksinimi i personave mbi 77 vjeç dhe në dërgesën e parë për Tetovën ishin sjellë 800 vaksina Astrazeneka.(koha.mk)

Exit mobile version